Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi për sigurinë e tyre dhe të gjithë komunitetit. Nga mbledhja e shtabit të emergjencave të Bashkisë së Tiranës, ai i kërkoi Policisë Bashkiake që të vendosë qendra zëri në automjete ku të bëhet një thirrje qytetarëve për të qëndruar në shtëpi.
Për këtë arsye nuk do të lejohen as grumbullimet e qytetarëve. “Simultanet e shahut pezullohen te Liqeni, Çajupi, 1 Maji; do të duhet të presin pasi të kalojë kjo situatë. I kërkoj Policisë Bashkiake të bëjë patrullime në këto zona, parqe e lulishte. Bashkë me strukturat mbështetëse, i kërkojmë Policisë Bashkiake të vendosë aparatura për të bërë informimin e publikut me zë”, tha Veliaj.