“Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe i gjithë sistemi i prokurorisë shqiptare janë transformuar nga reforma në drejtësi. Në këtë vit vendimtar 2020, dhe për vitet e ardhshme, fokusi duhet të jetë në mënyrën se si sistemi i reformuar i drejtësisë të bëhet efikas dhe me performancë të lartë”, deklaroi sot ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca. I pranishëm në konferencën e nivelit të lartë “Sfidat e Prokurorisë së Përgjithshme në dritën e Reformës në Drejtësi”, Soreca tha se “ne duhet të jemi krenarë që, teksa jemi mbledhur sot këtu, të gjitha institucionet e reja të drejtësisë tashmë janë krijuar. Është një arritje e rëndësishme, por këtë duhet ta konsiderojmë vetëm fundin e fillimit”.
“Çela, ju keni përgjegjësinë të siguroni që rregullat dhe procedurat e parashikuara në legjislacionin e ri të zbatohen siç duhet – një rol që e ndani me Këshillin e Prokurorisë dhe sigurisht në bashkëpunim të ngushtë me ministritë e linjës”, tha ai.
Ambasadori theksoi se “BE-ja ka alokuar deri në 34 milionë euro për të mbështetur efikasitetin dhe qëndrueshmërinë e reformës. Ky investim i rëndësishëm duhet të përdoret sa më mirë, për ta bërë sistemin më efikas dhe më performues. Kjo është detyra jonë e përbashkët”.
“Reforma shqiptare në drejtësi na ka mësuar një mësim të shkëlqyer: me guxim, punë të palodhur dhe dëshirë të fortë për një të ardhme më të mirë, mund të arrihet shumë. Në këtë vit të rëndësishëm 2020 dhe për vitet e ardhshme, fokusi duhet të jetë në atë se si ta bëjmë sistemin e ri efikas dhe performues. Për t’i shërbyer popullit shqiptar përmes një sistemi gjyqësor transparent dhe të përgjegjshëm. Reforma e sistemit të drejtësisë është ende motori që e drejton vendin drejt asaj çka 97% e popullit shqiptar e konsideron qëllimin e vet të përbashkët, pranimin e Shqipërisë në BE”, theksoi Soreca. Duke u ndalur te raporti i përditësuar publikuar një ditë më parë nga Komisioni Europian, raport i cili pason prezantimin e metodologjisë së re për zgjerimin, Soreca tha se “ne besojmë se Shqipëria meriton të ecë përpara tani. Ne shpresojmë që shtetet anëtare do të marrin një vendim pozitiv në javët e ardhshme”.