Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se ka pranuar një letër nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Siç njofton Zyra për Komunikim e Kurtit, Borrell në letrën e tij është shprehur i kënaqur me kryeministrin, që, siç ka thënë, “marrëdhënien me BE-në e ka vënë si punë të tijën kryesore”. “Ngjashëm, unë e mirëpres synimin tuaj për vazhdimin e reformave të domosdoshme që ta shtyni përpara sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe qeverisjen e mirë në Kosovë. Këto janë elemente kyçe për të ardhmen tuaj”, ka thënë Borrell, raporton Rel.
Ai ka përmendur edhe dialogun me Serbinë, ndërsa ka thënë se Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare “besojnë fuqishëm se rifillimi i bisedimeve është i domosdoshëm dhe urgjent” dhe se “do të kërkojë heqjen e plotë të tarifave”. “Unë e mirëprita njoftimin tuaj javën e kaluar për tarifat, që paraqet hap të parë të mirë në drejtim të duhur. Neve na duhet heqja e plotë e tarifave. Në këtë kontekst unë pajtohem plotësisht me ju se marrëveshjet e kaluara dhe obligimet e mbetura duhet të zbatohen plotësisht. Serbia, sikur Kosova, duhet t’i përmbushë zotimet për zbatimin e atyre marrëveshjeve”, ka thënë mes tjerash Borrell.
Kosova u ka vënë taksë 100 për qind prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina qysh në nëntor të vitit 2018. Ditë më parë, Kurti ka shpalosur planin e tij për heqjen graduale të kësaj takse. Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar heqjen e plotë të saj. Ka pasur edhe paralajmërime për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga Kosova, për shkak të mungesës së një vendimi nga Qeveria e Kosovës për heqjen e plotë të taksës. Taksa ka bërë që edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi të ndërpritet qysh në fund të vitit 2018. Serbia e ka kushtëzuar rikthimin në dialog me heqjen e taksës. Kosova kërkon që Serbia të ndalë fushatën për çnjohjet e pavarësisë së saj.