Zv/kryeministri Erion Braçe, në njw studio televizive foli me tone të larta dhe të ashpra në drejtim të presidentit të republikës Ilir Meta, i cili sipas tij ka shkelur rëndë ligjin dhe ka komprometuar reformën në drejtësi teksa ka zgjedhur Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, e cila përveçse nuk ishte tek tri emrat e parë të propozuar nga KED, është gjithashtu partnerja e ish-deputetit të PD, çka tregon sipas tij se është e varur politikisht.
“Nuk i kemi hequr asnjë kompetencë presidentit. Ai ka për detyrim që të caktojë gjyqtarët jo nga kuvendi, por nga lista e KED, institucioni që ka dalë nga reforma në drejtësi, ku duhet të zgjedhë nga tre të parët në listë. Ai ka shkuar tej, tek i katërti dhe ka shkelur ligjin rëndë dhe ka komprometuar rëndë reformën në drejtësi. Dhe meqë asnjë s’e merr guximin ta thotë, po e them unë. Ka emëruar, duke komprometuar rëndë reformën në drejtësi një gjyqtare që është e varur politikisht në mënyrën më të qartë të mundshme me PD dhe me një nga sekretarët e PD. Imagjinoni sikur ne të kishim zgjedhur gruan e Taulant Ballës në Gjykatën Kushtetuese. E ka në shtëpi dhe është sekretar i PD. Imagjinoni sikur të kishim zgjedhur gruan e Taulant Ballës, do na kishin djegur me benzinë siç u nisën të na digjnin me benzinë dhe askush s’e thotë me zë të lartë”, tha Braçe.