Izolohet një fshat i tërë pas identifikimit me koronavirustë një çifti bashkëshortësh, pasi burrë e grua kanë pasur kontakte të ngushta me banorët e fshatit Mbërs të njësisë Administrative Kurjan, bashkia Roskovec. Autoritetet e Institutit të Shëndetetit Publik dhe Policia e Shtetit, pas thirrjes së bashkisë së Roskovecit për vetëizolim, vendosën karantinimin e të gjithë fshatit. Dy postblloqe policie janë vendosur në hyrje dhe dalje të fshatit Mbers, duke bllokuar lëvizjen e banorëve. Sipas bashkisë së Roskovecit, mësohet se lëvizin vetëm automjetet e autorizuara për furnizimet bazë ushqimore të fshatit dhe këto nën kontroll të rreptë. Ditën e djeshme bashkia e Roskovecit, njoftoi se dy banorë të fshatit kishin rezultuar pozitiv me COVID-19. Familja ka pasur histori udhëtimi në Itali.
“Kërkojmë bashkëpunimin e të gjithëve për të kuptuar rëndësinë e kësaj situate dhe respektimin e rregullave bazë: qëndrimin në shtëpi dhe higjienë maksimale personale për veten dhe të tjerët. Kjo është një ‘l uftë’ që na përket të gjithëve, kujdesuni për veten dhe miqtë tuaj pasi kështu do të mund të mbrohemi të gjithë. Urojmë shërim sa më të shpejtë çiftit. Zoti qoftë me ne! Jo panik, kujdes, qëndroni në shtëpi, vetëizolohu”, apeloi bashkia e Roskovecit.