Rastet e koronavirusit në botë kanë shkuar në 340 mijë, sipas buletinit të fundit të universitetit John Hopkins.
Më saktësisht, personat e prekur në të gjithë botën, për momentin janë 339259. Kina, Italia, SHBA, Spanja, Gjermania dhe Irani, janë sipas radhës, vendet më të goditura. Bilanci i viktimave është për momentin 14706 ndërsa totali i personave të shëruar shkon në 98.836.
Italia, ka më shumë se një të tretën e totalit të viktimave dhe numrin e dytë më të lartë të rasteve në shkallë globale. Raste të para të koronavirusit janë konfirmuar tashmë në gaza dhe Siri, duke rritur frikën për se sistemet e tyre të dobëta shëndetësore nuk do të mund ta përballonin një shpërthim të virusit. Numri i viktimave në Spanjë shkoi në mbi 1720, duke lënë pas Iranin me 1600 të vdekur. Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka paralajmëruar se e keqja më e madhe nuk ka ardhur akoma. Më shumë se një miliardë indianë ndërkohë u vunë në karantinë 24 orëshe ndërsa australia reduktoi aktivitetet tregtare.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha paralajmërimin e tij më të prerë deri më tani, duke thënë se vendi mund të përballej me një izolim si ai në Itali. Një ditë më parë, në Britani, u regjistrua edhe viktima më e re e Covid 19, një 18 vjecar me probleme të mëparshme shëndetësore. Në anën tjetër, të paktën 23 vetë humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u lënduan ndërsa burgjet kolumbiane u përfshinë nga protestat e të dënuarve që kërkonin masa më të mira mbrojtëse nga virusi. Në gjermani, një ditë më parë, u bë e ditur se kancelarja Merkel kishte bërë një vaksinë kundër pneimokokut, një bakteri që shkakton pneumoni, nga një mjek që më vonë kishte rezultuar pozitiv për koronavirusin dhe ishte vendosur në vetëizolim.
Ndërsa Rand Paul, u bë i pari senator amerikan që ka rezultuar pozitiv. Në SHBA, ka mbi 32 mijë raste dhe 400 viktima. Tetë shtete kanë urdhëruar një popullatë prej rreth 100 milionë personash, ose një amerikan në tre, të qëndrojë në shtëpi. Presidenti Trump ka autorizuar përdorimin e gardës kombëtare në tre shtete, Nju Jork, Kaliforni dhe Uashington, tre zonat më të goditura të vendit.