Ish-zëvendëskryeministri i Italisë, Matteo Salvini ka telefonuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama për ta falënderuar për ndihmën konkrete siç është ajo e 30 mjekëve që Tirana dërgoi në Itali kundër koronavirusit.

Zyra e shtypit e Salvinit bën të ditur se biseda e përzemërt përfundoi me premtimin e një vizite nga Salvini në Shqipëri pasi mbarimit të gjendjes së emergjencës.

Marrëdhëniet mes dy liderve janë shumë të mira prej vitesh, duke qenë se Edi Rama edhe më parë është treguar gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar Italinë për rishpërndarjen e emigrantëve.

“Faleminderit popullit shqiptar dhe qeverisë shqiptare: duke dërguar mjekë dhe infermierë kanë dëshmuar një ndjeshmëri dhe një zemërgjerësi që nuk do t’ua harrojmë”, tha Salvini.

”Sa të mbarojë gjendja e emergjencës do të shkoj vetë në Tiranë të takoj Edi Ramën dhe popullin e tij”, theksoi Salvini, i cili ka qenë edhe ministër i Brendshëm i Italisë.