Afati i aplikimeve për kreditë e buta do të shtyhet deri më 17 maj. Vendimi do të miratohet nga këshilli bashkiak për ti dhënë kohë qytetarëve që të aplikojnë derisa të kalojë situata emergjente prej koronavirusit.
“Aplikimin për kreditë e buta kemi vendosur që ta shyjmë me dy muaj, pra nga 17 marsi do të jetë 17 maji dita e fundit e aplikimit për kreditë e buta. Sigurisht, nëse kriza do të vazhdojë, do të duhet ta moderojmë edhe atë vendim; pra askush nuk ka nevojë të ngutet apo të vijë në Bashki, kjo është diçka që pret. Ajo që nuk pret është higjiena dhe menaxhimi i kësaj krize. Ne kemi interes t’i japim, jo t’i mbajmë kreditë e buta. Kështu që për sa kohë që bashkia e ka paguar interesin, ne duam që sa më shumë familje të reja të përfitojnë nga ky proces”, deklaroi kryebashkiaku Erion Veliaj në ‘News24’.
Sa i përket shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ndërtimi i tyre do të vijojë.
Për ta realizuar këtë do të ndahen në dy skuadra, njëra prej të cilave merret me emergjencën aktuale që në Bashkinë e Tiranës përveç kryetarit dhe drejtuesve kryesorë si Zjarrfikësja, Policia Bashkiake, transporti, ujësjellësi, dhe Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, bashkë me Shërbimet Sociale, që çojnë drekat dhe darkat në çdo familje në nevojë, kryesisht tek të moshuarit.
Ndërsa skuadra tjetër vazhdon punën normale, që përveç kredive të buta, ka të bëjë me ndërtimin e 600 shtëpive të reja në fshat që janë dëmtuar prej tërmetit, dhe planifikimin final të lagjeve të reja për të tjerët që në zonat urbane mund të kenë të dëmtuar apo humbur shtëpinë e tyre prej tërmetit.