Jamarbër Malltezi, dhëndri 20 milionë eurosh i Sali Berishës, që ka dëshirë ta thërrasin në mënyrë përdhelëse Abi, shfaqet vazhdimisht para publikut si një mbrojtës i pakompromis i mjedisit.

Prej disa vitesh, e kemi dëgjuar të flasë për plehrat, për incerneratorët, për betonizimin e qyteteve, për pallatet që po ndërtohen në fusha sportive apo në bregdet.

E gjithë kjo fushatë në mbrojtje të mjedisit, nga një ambientalist milioner që disponon një vile vanitoze në Gjirin e Lalzit (lagjja e preferuar e politikanëve, oligarkëve dhe të fortëve) dhe që ka zaptuar kompleksin sportiv “Partizani”, ku ndërtoi pallate me vlerë prej 20 milionë eurosh.

Gazeta SHQIP zbuloi pak kohë më parë se dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha është ndërtues i një kompleksi modern prej 17 pallatesh me vlerë 20 milionë euro.

Në plan të parë, opozita që bën dhëndri i Berishës, duket normale, por në fakt e gjitha lidhet me interesa ekonomike të tij. Malltezi, duke përdorur postin politik në PD, denoncon vazhdimisht pallatet e të tjerëve, por nuk flet asnjëherë për kompleksin 20 milionë eurosh të tij, që zhduku fushën e Partizanit.

Në rastet e shumta të denoncuara dhe në protestat që ai ka marrë pjesë, është edhe rasti i kompleksit të pallateve tek Rruga e Kavajës, që është ndërtuar në krah të policisë bashkiake.

Abi Malltezi duke përdorur pozitën politike të tij, denoncimet që i shet si në interes të publikut, janë në fakt vetëm sulme dhe shantazhe ndaj ndërtuesve të tjerë.

I gjithë mobilizimi i tij në protestën tek kompleksi i pallateve në Rrugën e Kavajës, lidhet me hallin që kishte se nuk do të shiteshin hyrjet në kompleksin e tij 20 milionë euro.

Kjo është e vërteta e një ndërtuesi shantazhues, i veshur me pushtet politik, që në publik sillet si mbrojtës i mjedisit, ndërsa në të vërtetë zapton pronat dhe i kthen në beton.

Pas denoncimeve, Abi kthehet në kompleksin e tij ku zotëron edhe një palestër moderne. Aty, teksa shtrëngon hekurat, mendon edhe për kauzat në mbrojtje të mjedisit, të cilat i finalizon në komplekse pallatesh