Eksperti për Ballkanin, Florian Bieber, thotë se paralajmërimet e zyrtarëve amerikanë për sanksione ndaj Kosovës në rast se nuk largohet tarifa për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, mund të jenë reale nën administratën e udhëhequr nga presidenti amerikan Donald Trump. Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Beiber, megjithatë favorizon rol më të madh të Bashkimit Evropian në procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se një zgjidhje e qëndrueshme për të dyja palët mund të sigurohet vetëm përmes përfshirjes së të gjithë akterëve në Kosovë dhe Serbi. Aktualisht kemi një situatë kur është rritur presioni i zyrtarëve amerikanë në drejtim të Qeverisë së Kosovës për të larguar tarifën për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, tarifë kjo që u vendos në vitin 2018.
Pse mendoni se është duke ndodhur ky presion tani? Bieber: Mendoj se ka të bëjë me interesin amerikane që të gjejnë një zgjidhje të shpejt, pra një zgjidhje të shpejt për raportet mes Serbisë dhe Kosovës dhe ata e dinë që tarifat janë pengesa në këtë rrugë. Është një qasje e njëanshme, duke konsideruar faktin se në të njëjtën kohë Serbia nuk ka premtuar që do të ndalojë kampanjën e çnjohjeve të Kosovës sepse kjo në rend të parë ka shtyrë vendosjen e tarifave. Mendoj se interesimi amerikan nën administratën e presidentit (të SHBA-së, Donald) Trump është që të gjejë një zgjidhje sa më shpejt që është e mundur dhe kjo do të thotë favorizimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. A do të duhej që Qeveria e Kosovës të dëgjonte thirrjet e zyrtarëve amerikanë dhe t’i largojë tarifat? Bieber: Mendoj që përpjekja e kryeministrit, Albin Kurti për të shkuar hap pas hapi, sa i takon largimit të tarifës, duket mjaft e arsyeshme. E them sërish, Qeveria e Kosovës, nuk po thotë se do ta mbajë tarifën pafundësisht, por se do t’i largojë ato gradualisht dhe kjo duket që ka më shumë kuptim, që të kemi një largim hap pas hapi të tarifës e që do të nënkuptonte që edhe Serbia të ndalonte kampanjën e çnjohjeve.
Mendoj se nuk duhet të kemi veprime të njëanshme ku vetëm Kosova largon tarifat dhe e kuptoj se pozicioni amerikan nuk është shumë i mirëkuptueshëm në këtë drejtim. Po ashtu, mënyra se si amerikanët janë duke e favorizuar presidentin (Hashim Thaçi) përpara Qeverisë së Kosovës në këtë proces, është një anë që nuk ndihmon shumë. Unë mendoj se do të ishte më e mençur sikur të vazhdohej me pozicionin që ka mbajtur Qeveria e Kosovës deri më tani për këtë çështje.
Zyrtarë amerikanë, duke përfshirë dy senatorë dhe djalin e presidentit Donald Trump, kanë përkrahur masa ndaj Kosovës. A besoni se mund të ketë masa ndëshkuese nga SHBA-ja në rast se Qeveria e Kosovës nuk respekton këshillat amerikane? Bieber: Sigurisht se është shumë e mundur sepse kemi një administratë të çrregullt amerikane dhe tashmë kemi parë kërcënime të drejtpërdrejta nga njerëz të administratës amerikane se ata mund të largojnë trupat amerikane nga Kosova, por sërish mendoj se pjesërisht është një “blof”. Mendoj se Qeveria amerikane mund të humbë interesimin për këtë çështje po aq shpejtë sa e ka shtuar atë dhe kështu mund të mos ketë konsekuenca, pra në këtë drejtim është shumë e paparashikueshme gjë që është një nga problemet që aktualisht ka administrata Trump. Partneri kryesor që ka diçka për të ofruar për Kosovën është Bashkimi Evropianqë mendoj se ka marrë një pozicion të ri në këtë çështje. Sërish, pozicioni amerikan nuk është shumë i qartë se çfarë konsekuencash mund të ketë, kështu që në këtë drejtim ne duhet që të presim dhe të shohim. Sërish them se si pasojë e pandemisë globale COVID-19, ne gjithsesi mund të shohim që Qeveria amerikane të humbasë krejtësisht interesimin për këtë çështje dhe të jetë e fokusuar krejtësisht në gjashtë muajt e ardhshëm për zgjedhjet që do të mbahen në SHBA. Qeveria amerikane tashmë ka pezulluar disa projekte në vlerë milionëshe, pasi Qeveria e Kosovës ende nuk ka vendosur për largimin e tarifës për mallrat e Serbisë. Zyrtarët amerikanë po ashtu kanë përmendur mundësinë e largimit të trupave amerikane nga Kosova. A është ky një rrezik real? Bieber: Nëse shohim më larg mendoj se do të ishte mirë që të largoheshin tarifat, sigurisht se do të ishte një zgjidhje e mirë, por kjo duhet të bazohet edhe në masat që merr pala tjetër në Serbi dhe unë besoj se kjo do të ishte edhe kërkesa e Qeverisë së Kosovës. Por, vërtetë duket se SHBA-ja është e vullnetshme që nën administratën e presidentit amerikan Donald Trump, të përdorë çdo mjet për të vendosur presion mbi Qeverinë e Kosovës. Por, unë dyshoj se kjo është një mënyrë efektive sepse asistenca amerikane është e rëndësishme, simbolika e mbështetjes amerikane është e rëndësishme, por po ashtu ka një limit deri kur do të dukej e arsyeshme për të bërë presion mbi qeverinë.
Pse besoni se administrata amerikane ka marrë udhëheqjen e negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit? Bieber: Mendoj se janë dy arsye. Njëra është shumë e qartë se administrata e presidentit Trump është e interesuar në fitore të lehta jashtë vendit për të shfaqur imazh të mirë në SHBA. Është administratë joparimore që nuk është shumë e interesuar në zgjidhje të qëndrueshme, sigurisht ka njerëz në Departamentin amerikan të Shtetit që mund të jenë të interesuar për zgjidhje të qëndrueshme, por mendoj se në nivelin më të lartë motivimi kryesor është marrëveshje të shpejta dhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duket te jetë një ku ata do të mund të arrinin një marrëveshje. Kjo është pritja e tyre. Arsyeja tjetër mund të jetë se ndoshta është duke ndodhur ndonjë proces lobimi për të cilin ne nuk jemi në njohuri e përmes së cilit ndoshta është duke u shtyrë administrata amerikane për të gjetur një zgjidhje.
A do të ishte më mirë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të udhëhiqej nga SHBA-ja apo Bashkimi Evropian? Bieber: Në fund të ditës, mendoj se do të ishte më mirë sepse negociatat e Bashkimit Evropian të udhëhequra nga Federica Mogherini nuk ishin shumë të suksesshme, por në fund të fundit janë negociatat e vetme që do të mund t’i ofronin edhe Serbisë diçka më substanciale, po ashtu edhe Kosovës, e që do të nënkuptonte dhënien fund të bllokadës për njohje dhe perspektivën për anëtarësim në Bashkim Evropian. Njëjtë edhe për Serbinë. Po ashtu për çështje ekonomike, BE-ja, është shumë më e rëndësishme sesa SHBA-ja. Në këtë kuptim, unë konsideroj se BE-ja është ndërmjetësuesi dhe negociatori i natyrshëm në këtë proces, por fatkeqësisht ende nuk e ka gjetur rolin e saj të ri pasi që i mori shumë kohë pas zgjedhjeve që u mbajtën në BE. Shumë nga hapat e ndërmarrë nga Richard Grenell (i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë) deri në një masë ishin të menduara për të bërë Bashkimin Evropian që të dukej keq përmes vendimeve të shpejta për të cilat nuk u konsultua me BE-në e as me Qeverinë e Kosovës. Kosova dhe Serbia i nënshkruan disa marrëveshje në Berlin me ndërmjetësim e të dërguarit special të Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell. A besoni se do të gjejnë zbatim marrëveshja për hekurudhat dhe linjën ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit? Bieber: Çfarë ne duhet të shohim është substanca. Ne kemi parë shumë marrëveshje dhe shumë negociata në BE, nga BE-ja në mes të Kosovës dhe Serbisë që rezultuan të pazbatueshme. Unë do të besoj vetëm kur të shoh ndonjë aeroplan duke fluturuar ose trena duke lëvizur.
A mendoni se janë reale pritjet se së shpejti mund të ketë një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë? Bieber: Mendoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë përkushtimin afatgjatë nën administratën aktuale që të negociojnë një marrëveshje sepse kjo nuk kërkon vetëm një zgjidhje të shpejt, por kërkon një marrëveshje reale që përfshin të gjithë aktorët duke përfshirë edhe ata të Kosovës. Kërkohet një marrëveshje me principe dhe nuk besoj se administrata aktuale është e interesuar apo në pozitë për të negociuar, pra në këtë drejtim duhet të jetë Bashkimi Evropian. Nuk e di nëse rrethanat janë të drejta sepse nuk jam i bindur nëse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është i interesuar për një marrëveshje të sinqertë, po ashtu duke marrë parasysh edhe mospajtimet në mes të presidentit dhe Qeverisë në Kosovë, pra nuk është një rrethanë e mirë, pra jam shumë skeptik sa i takon arritjes së një marrëveshjeje finale.