Nga Patrick Kingsley

Kriza e koronavirusit ndihmoi për herë të parë ditën e mërkurë në rrëzimin e një qeverie, pasi shumica e ligjvënësve në Kosovë votuan për largimin e koalicionit qeverisës nisur nga një krizë politike që lidhej pjesërisht me pandeminë.

Administrata e Kryeministrit Albin Kurti ra pasi partnerët kryesorë në koalicion u bënë bashkë me partitë opozitare në një votë mosbesimi kundër Qeverisë ku vetë merrnin pjesë, duke e mposhtur Kurtin 82 me 32 vota.

Kurti do të jetë Kryeministër në detyrë deri kur të formohet Qeveria e re, por rrëzimi i Qeverisë së tij e lë Kosovën pa një qeveri të fortë, në një kohë kur pjesa më e madhe e qeverive nëpër botë po kërkojnë vazhdimisht më shumë pushtet e kompetenca për të luftuar pandeminë e koronavirusit.

Mocioni i mosbesimit u mirëprit në avancë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, diplomatët e së cilës e kishin vendosur Kurtin nën një presion të fortë që prej betimit të Qeverisë së tij. Presioni lidhej me kundërshtimin që Kurti i bënte aspekteve të planit të Uashingtonit për të arritur paqen në rajon.

Por, mocioni i mosbesimit u dënua nga Franca dhe Gjermania, që dolën me një deklaratë të përbashkët kritikuese për pakujdesinë e treguar nga klasa politike kosovare për të rrëzuar qeverinë në një kohë pandemia. “Kosova ka nevojë për një qeveri të qëndrueshme dhe plotësisht funksionale për t’u përballur me këtë krizë”, thuhej në deklaratën e përbashkët.

Mocioni i mosbesimit ishte pjesërisht rezultat i një përplasjeje të ditëve të fundit mes partisë së Albin Kurtit dhe aleatëve të tyre në koalicionin qeverisës për mënyrën sesi duhej të përballej Kosova me pandeminë e koronavirusit.

Për të parandaluar përhapjen, Kurti vuri në zbatim disa masa kufizuese për lëvizjen e qytetarëve, por pa kërkuar dhe aktivizuar gjendjen e emergjencës kombëtare. Partnerët e tij në koalicion mbështesnin vendosjen e kësaj emergjence, që do t’i jepte më shumë pushtet Hashim Thaçit, rivalit politik kryesor të zotit Kurti.

Qytetarët e Kosovës, si shenjë mospajtimi mbi përplasjen politike që po ndodhte dolën nëpër ballkonte dhe dritaret e tyre duke goditur tenxhere e kapakë, ndërsa më shumë se 10 mijë vetë firmosën peticionin ku dënoheshin nismëtarët e mocionit të mosbesimit për “papërgjegjshmëri ndaj interesit publik dhe shëndetit të qytetarëve”.

Megjithatë, mocioni tërhoqi vëmendjen e shtuar të diplomatëve të Donald Trump në Ballkan. Koronavirusi ishte alibia i nismës së mocionit të mosbesimit, por arsyeja e vërtetë e votës kundër Albin Kurtit ishte përplasja për dialogun me Serbinë. Debati për formatin dhe se kush e udhëheq këtë dialog e vendosi Albin Kurtin jo vetëm përballë Hashim Thaçit, por edhe përbalë administratës së Donald Trump.

“Këto janë pasoja të lojës së fortë që amerikanët po luajnë për momentin”, thotë Ëolfgang Petritsch, një ish i dërguar i Bashkimit Europian për Kosovën.

Serbia ka lobuar me sukses tek një grup i madh vendesh që të mos njohin pavarësinë e Kosovës, duke kufizuar aftësinë e shtetit të ri për të operuar në arenën ndërkombëtare. Si kundërpërgjigje, Kosova vendosi taksa mbi mallrat serbe, që sipas përllogaritjeve i ka kushtuar Serbisë humbje prej të paktën 160 milionë eurosh.

Para se të merrte detyrën Albin Kurti si Kryeministër, administrata e Donald Trump u përpoq që të shuante konfliktin përmes një marrëveshjeje mes Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiçit. SHBA shtoi presionin ndaj heqjes së taksës 100 për qind si një gjest të vullnetit të mirë ndaj Serbisë. Me shpresën e sigurimit të një marrëveshjeje të shpejtë, diplomatët amerikanë diskutuan deri tek ideja e ndaluar e ndarjes së Kosovës, që alarmon udhëheqësit e Bashkimit Europian, të cilët i druhen këtij skenari se mund të rindezë konfliktet etnike në rajon.

Pasi formoi koalicionin në muajin shkurt, Kurti nisi punën për të ngadalësuar e penguar procesin që kishte nisur para se ai të vinte në pushtet, duke e vendosur veten në një kurs përplasjeje me Uashingtonin.

Mes frikës së Hashim Thaçi mund të kishte arritur një marrëveshje të fshehtë për ndarjen e Kosovës, Kurti përdori të drejtën që i jepte Kushtetuta për të marrë në dorë dhe udhëhequr dialogun me Serbinë në vend të Thaçit dhe të mbajë tarifat pjesërisht në fuqi si një mjet presioni ndaj Serbisë.

“Kjo nuk është çështje mes Presidentit tonë dhe Presidentit të Serbisë. Ajo kohë iku! Qeveria jonë, me mua si Kryeministër do të drejtojë nga tani e tutje dialogun me Serbinë. Presidenti është pjeesë e politikës së jashtme, por ai nuk mund të krijojë politikë të jashtme”, deklaroi Albin Kurti në një intervistë dhënë për “The Times”.

Ky qëndrim e vendosi Albin Kurtin në një përplasje direkte jo vetëm me Hashim Thaçin, por edhe me Richard Grenell, që shërben si i dërguar i posaçëm i SHBA për dialogun Kosovë-Serbi, përveç rolit si ambasador në Gjermani dhe drejtor i inteligjencës kombëtare.

Për të detyruar Albin Kurtin që të hiqte tarifat, SHBA ngriu miliona dollarë ndihma për Kosovën. Donald Trump Jr., që nuk ka asnjë post zyrtar në administratën e babait të tij, publikisht mbështeti qëndrimin e senatorit amerikan, që këshillonte tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova. Këto komente tmerruan qytetarët e Kosovës, që e shohin praninë e trupave amerikane në vendin e tyre si një garanci jetësore për sigurinë e vendit.

Presioni amerikan u citua edhe nga ish-partnerët e koalicionit të Albin Kurtit (LDK) si një tjetër arsye se përse po tërhiqeshin nga marrëveshja e qeverisjes së përbashkët.

“Kjo është një lloj diplomacie të fortësh, diplomacia “Ramboje””, thotë Petritsch, duke e krahasuar qëndrimin e ashpër amerikan me një film aksion popullor në mbarë botën. Si dëm anësor, ata do të rrëzojnë një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike”, shton ai.

Burimi: New York Times