Gjatë komunikimit live në facebook kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek familja e tij.
Në fund të video-konferencës për masat e parandalimit të përhapjes masive të COVID-19, Rama tha se edhe ai ka një familje që kërkon ta mbrojë.
“Jam bir i një nëne. Familjen time e dua pafund, do të bëj çmos që ti mbroj, ata dhe ata të tjerët që dua pafund ti përqafoj, por s’dua të jem unë shkaku që të sëmuren.
Tek ky postim shkruani të gjitha pyetjet për veprimtarinë e perimetrit Tiranë-Durrës që do të jenë shtet-rrethim i plotë për një armik që nuk e shohim.”-tha Rama.
Gjithashtu Rama u shpreh se ky virus do të prekë më shumë se 80% të popullsisë, por shumica do ta kalojë pa e vënë re, ndërsa këshilloi që të mos dalin nga shtëpia dhe të mbrojnë më të moshuarit.
“Këto masa ekstreme kufizimi të lirisë së qarkullimit janë domosdoshmëri për të mbrojtur çdo qytetar, çdo familje dhe vetë Shqipërinë nga përshkallëzimi agresiv i sulmit të koronavirusit mbi ne dhe të afërmit e të njohurit tanë
Ky është një “grip” që do të prekë shumë prej nesh! 80% e atyre që do të preken do ta kalojnë pa asnjë shenjë. kjo do të thotë se gjithkush nga ne mund ta ketë, prandaj edhe pse nuk ndjejmë asgjë, na takon të gjithëve të mbrojmë të moshuarit e të sëmurët rrotull nesh, sepse po e transmetuam tek ata u kemi “ bërë peshqesh” një hall të madh
Ndër ata që kanë shenja, janë shumë më pak ata që bëhen për spital, sepse shumica e kalon me sikletet e një gripi të zakonshëm dhe prej atyre që përfundojnë në spital shumica shërohen, por prapëseprapë askush nga ne nuk mund dhe nuk duhet të verë bast me probalitetin tejet të ulët që ai/ajo apo i afërmi i tij/saj të hyjë tek ata që mund të humbasin edhe jetën! në asnjë mënyrë jo. kurrën e kurrës!
Kam besim dhe kini besim: nuk kemi në dorë ta vrasim armikun e padukshëm që na rrotullohet të gjithëve, duke kërkuar pengje në shtëpitë tona, po kemi në dorë ta lodhim derisa ta mundim duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe me ndihmën e zotit, të diellit e të rritjes së temperaturave!
Përveç vetëdijësimit sa më të shpejtë, kufizimit sa më drastik të lëvizjeve të përditshme, respektimit të këshillave të autoriteteve shëndetësore dhe solidaritetit kombëtar, duke u bërë njësh shtet/qytetarë, asgjë tjetër s’na duhet dhe asgjë tjetër s’na ndihmon dot.
Besim motra e vëllezër besim, ne do ta mundim koronën dhe do të dalim më të fortë nga kjo luftë, siç dolëm nga goditja e tmerrshme e tërmetit!” tha Rama.