Ministrja e Arsimit, Besa Shahini i ka dhënë përgjigje maturantëve që janë të shqetësuar nëse provimet do të shtyhen. Në një komunikim live në Facebook nga shtëpia, Shahini tha se është kërkuar orar shtesë që të jepen leksione për tre lëndë që janë konsideruar të vështira
‘Për momentin, nuk kemi asnjë arsye që duhet të shtyhet. Për këto dy javë, është periudhë e mirë për të përsëritur leksionet. Kemi kërkuar nga RTSH që të japë një orar shtesë vetëm për maturantët, 13:30-14:30, ku do transmetojmë leksione të klasës së 12-të të matematikës, biologjisë dhe kimisë në mënyrë që maturantët të thellojnë më tutje aftësinë e tyre në këto tre lëndë që konsiderohen më të vështirat nga vetë ata.
Nga e hëna deri të premten është orar shtesë për maturantët që të përsërisin leksionet e orës së 12-të. Ngaqë jemi në kushte të jashtëzakonshme, do të vazhdojmë leksionet. Për çdo leksion që humbisni në këto dy orare, ndiqni në Youtube të Ministrisë së Arsimit’, tha Shahini. Ministrja shtoi se mbeten në diskutim se çfarë do të ndodhë pasi të kalojë periudha dy javore dhe do të njoftojë për detajet në ditët në vijim. ‘Sot vijojnë leksionet në RTSH nga ora 10:30 – 12:00. Kemi transmetuar leksionet për fizikën. Nëse i keni humbur, i gjeni në kanalin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Youtube.
Disa nxënës kanë pyetur nëse kjo nismë do të vazhdojë përtej këtij 2 javori. Jemi në diskutim me RTSH që të vazhdojmë përtej datës 23 mars. Përtej leksioneve të lëndëve të caktuara, ideja është që të bëjmë edhe programe të tjera që janë argëtuese dhe edukative. Në ditët në vijim do ju njoftoj për detajet e programit përtej periudhës së jashtëzakonshme’, tha ministrja Shahini.