Në vijim të operacionit humanitar të qeverisë për të ndihmuar familjet në nevojë, bashkia e Durrësit i ka ardhur në ndihmë rreth 720 familjeve.
Burime nga kjo bashki bënë të ditur për ATSH se ndihmat janë fokusuar dhe te familjet që janë strehuar në çadra, pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të shkuar.
“Në vijim të operacionit humanitar të qeverisë njësitë administrative Ishëm, Manzë, Sukth, Rrashbull dhe Katund i Ri janë shpërndarë ndihmat e para për rreth 500 familje, mes të cilave ka familje që jetojnë në çadra që pas tërmetit të 26 nëntorit, familje në ndihmë ekonomike, pensionistë, të moshuar të vetmuar dhe persona me aftësi të kufizuar apo familje të pastreha”, – bënë me dije burimet nga bashkia e Durrësit.
“Gjatë këtyre ditëve janë trajtuar me ndihma nga bashkia e Durrësit 220 familje, nga të cilat rreth 110 familje në nevojë, nga komuniteti rom dhe egjiptian, persona me aftësi të kufizuara, ku me mbështetjen e organizatave të ndryshme janë shpërndarë pako ushqimore dhe higjienike”, – thanë burimet.
“Po kështu bashkia vijon të trajtojë 110 të moshuar (qendra ditore e shërbimit social), të cilëve u janë shpërndarë ditë më parë dhe këtë javë do t’u shpërndahen sërish pako të tjera”, – bënë me dije burimet për ATSH.