Ish-mbrojtësi legjendar i Manchester Unitedit, Rio Ferdinand, kërkon që të merret një vendim sa më shpejt për të ardhmen e Paul Pogbas në Manchester United, pasi që beson se situata e paqartë e francezit u ka pri shur punë Djajve të Kuq. Trajneri Ole Gunnar Solskjaer ka arritur ta përmirësojë formën e Manchester Unitedit gjatë xhirove të fundit, pasi që skuadra e tij është afër top katërshes të Anglisë, përderisa ka kaluar në çerekfinale të FA Cup dhe në 1/16 të Ligës së Evropës, transmeton Gazeta Express. Megjithatë, forma e Manchester Unitedit në fushën e lojës mbetet vazhdimisht nën hijen e spekulimeve për të ardhmen e Pogbas.
Fituesi i Kupës së Botës me Francën, i cili i ka bërë vetëm tetë paraqitje këtë sezon për shkak të një lëndimi të rëndë, vazhdon të jetë i përfolur për një largim nga Old Traffordi drejt Real Madridit ose Juventusit. “Mendoj se Manchester Unitedi duhet të bisedojë menjëherë me Pogban. A dëshiron ai të qëndrojë apo dëshiron të largohet? A dëshiron Ole ta mbajë atë në skuadër? Sapo ta zgjidhin këtë problem, atëherë mund të fillojë ndërtimi i skuadrës”, tha Ferdinand. Përfaqësuesi i yllit francez fillimisht tha se Pogba do të ishte i gatshëm të kthehej në Juventus këtë verë sepse e sheh Italinë si shtëpi të dytë, por Solskjaerit s’i pëlqyen këto komente dhe ia rikujtoi Raiolas se futbollistit i takon klubit e jo atij.
Raiola reagoi ashpër ndaj deklaratës së Solskjaerit dhe insistoi se Pogba s’i takon askujt përveç vetes. Më vonë, trajneri i Djajve të Kuq sugjeroi se ai s’do të flasë as me Pogban e as me Raiolan për këto deklarata, ndërsa Raiola më vonë tha se Pogba është i përkushtuar ndaj klubit anglez vetëm deri në fund të Kampionatit Evropian 2020.