Nga Elisa Spiropali

FORCA SHQIPËRI ????

Në 1990-ën studentët kërkuan Shqipërinë si gjithë Europa, pra kthimin e Shqipërisë në sofrën e familjes së saj natyrale. Ajo thirrje e brendshme e ulëritur së jashtmi ishte më e fortë se çdo konferencë, çdo kongres, anti-miting, parakalim. Ishte, mes të tjerash, esenca e vet historisë shqiptare në kontradiktën e thellë e të qënurit një nga vatrat më të hershme të kontinentit, dhe njëkohësisht e ndarë dhunshëm nga kjo përkatësi prej pushtimit osman dhe komunizmit totalitar.

Sot, jemi në momentin më të mirë historik në raport me të ardhmen tonë europiane. Vendet e BE, edhe pse të ngërthyera nga ngurrimi për zgjerim prej politikave populiste lokale, dhe në mes të një krizë shëndetësore dhe humanitare, vendosën sot përmes Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, të na afrojnë në vatrën e përbashkët, duke çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, jo më kot, por për arsyet e forta të reformave të thella dhe të guximshme të ndërmarra me vendosmëri të palëkundur, edhe përballë kundërshtive më të egra dhe shpotive më cinike.

Nga ky moment historik e tutje, shqiptarët duhet të bashkohen për realizimin e kësaj aspirate madhore deri në anëtarësim të plotë. Duhet t’i flasim Europës dhe botës të gjithë me të njëjtën gjuhë. Në Parlamentin tonë dhe në foltoret e partive, kusur mos të lëmë për të mbrojtur ndryshimet mes nesh, por për interesin kombëtar të kemi vetëm një zë. Ta thyejmë traditën e shëmtuar historike të asgjësimit të kundërshtarit duke plagosur vet Shqipërinë. Mundemi! Kemi dashurinë, vullnetin, përvojën, dhe gjithçka duhet për të mirën e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve kudo jetojnë.