Zenel Balla është 65 vjeç. Jeton në Farkë. “Qëndro në shtëpi”, për të dhe shumë të moshuar është një fjali qyteti. “E di që rrezikoj të infektohem, shoh televizor e shoh çpo bëhet. Por punët e fshatit s’më lënë. Kush do ta çojë lopën në kullotë?”, pyet Zeneli. Megjithatë, si shumë fermerë të tjerë edhe 65 vjeçari përpiqet të bëjë kujdes.

Po si ka ndryshuar jeta e tij? Zeneli tregon për Gazetën “Si” se në mëngjes zgjohet herët, mjelë lopën dhe niset për në Tiranë. “Kam klientë fiks prej vitesh, ua lë te dera, nuk i takoj se kam frikë dhe pastaj kthehem në shtëpi me vrap se mos më kap ora 1 e drekës. Mbyllem në shtëpi ose bëj ndonjë rregullim bahçeje”.

Më pas, i moshuari del sërish për të marrë lopën e tij dhe të vëllait nga kullota. “Ndonjëherë dal nga shtëpia e shkoj te tokat ose qëndroj pas lopës, çfarë të bëj me këtë ushqehem, nuk kam asnjë të ardhur tjetër”, shprehet 65-vjecari.

Si Zeneli veprojnë shumë të moshuar të tjerë. Punët e fshatit janë vetizolimi i tyre. Por Burbuqja, e cila ruan lopën në tokat afër Saukut tregon buzë mbrëmjes se e ka hequr zakonin e kafesë me fqinjen. “Përshëndetemi nga ballkoni, po shyqyr kemi shtëpi private dhe heqim ditën se brenda nuk rrihet” thote ajo.

A ka frikë Burbuqja kur nxjerr lopën pranë tokave? “Po ata thonë që për hall duhet të dalësh, ky është hall, është punë për mua. Vetëm lopës i afrohem”, shton e moshuara, e cila nuk pranon të fotografohet.