Albi Doka është nga ata që nuk dorëzohet asnjëherë. Jo vetëm një nga futbollistët më të mirë në ekip, por edhe një tifoz bardheblu. Në një intervistë të dhënë së fundmi, Doka pranon se do të shijojë titullin dhe më pas do të mendojë për të ardhmen.

Keni dhënë një superasist? 

Po më vlerësoni shumë. Ishte një kros në zonë. Ia dola të shkoja në zonë, e çova topin te Michael dhe ai i lënë vetëm në zonë e shënoi gol. Një gol i rëndë. Na duhej shumë kjo fitore. E kërkuam me ngulm dhe ia dolëm.

Me ardhmen e Egbosë ka ndryshuar edhe Doka në lojën e tij?

Ardhja e profesor Egbosë na ka bërë që të jemi në top-formë. Jo vetëm unë, por i gjithë ekipi është në këtë gjendje. Shpresoj që të ecim në këtë linjë me fitoret dhe të mos e ulim ritmin.

Çfarë ka ndryshuar. Për shembull Mema ju fliste shumë, pothuajse çdo ndeshje?

Nuk më përket mua të flas për këtë çështje. Gjithçka ka kaluar. Është hedhur pas shpatullave dhe le të flasim për të tashmen. Mund të them se ekipi është shumë lart. Besojmë shumë te titulli kampion. Po them se do t’ia dalim. Qëlloi që kthesa të vinte në derbi. Më pas fituam edhe derbin e dytë. Jemi të parët. Ku ka më mirë se kaq.

 

Keni debutuar në Superiore, më pas zbritët në Kategorinë e Parë?

Është më se e vërtetë. Futbolli qenka i çuditshëm. Këtë vit do të shijoj titullin. Atë vit që debutova rashë nga kategoria. Në shtëpi kam medaljen e Kupës, Superkupës. Kur e mendoj, më mungon titulli dhe më pas kompletohem me të gjitha.

Çfarë ka ndryshuar Egboja?

Grupin dhe harmoninë. Të gjithë e thonë shpesh këtë fjali.

Pse më parë nuk e keni pasur harmoninë?

Nuk është se kemi qenë të ndarë, apo pa harmoninë. Tani jemi më të bashkuar se kurrë dhe prandaj po fitojmë titullin.

Çfarë do të bëjë Doka pas fitimit të kampionatit?

Të marrim një herë titullin dhe më pas le të flasim për të ardhmen. (panoramasport)