Edhe pse numri i aksidenteve ka pësuar rënie vitet e fundit, siguria rrugore vazhdon të mbetet një ndër sfidat kryesore të Shqipërisë. Programet edukative për sigurinë rrugore dhe implementimi i tyre në kurikulat shkollore, zhvillimi i praktikave mësimore për studentët pranë DPSHTRR, apo manualet zyrtare informuese për testet e teorisë u diskutuan ditën e sotme me ekspertët Odise Koça në Universitetin Politeknik të Tiranës, Lumi Drakuli në Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu” dhe Alfred Koçi, në Drejtorinë Arsimore Tiranë.
Kreu i Drejtorisë së Shërbimit të Transporteve, Blendi Gonxhja e cilësoi një takim mjaft pozitiv, i cili, tha ai, do pasojë me dëgjesa/takime të tjera për të afruar grupet e interesit e për të lënë një gjurmë afatgjatë për edukimin mbi sigurinë rrugore ndër breza. OKB e ka renditur sigurinë rrugore si një prioritet globale për zgjidhje. Raporti Global për Sigurinë Rrugore i OBSH, i dhjetorit 2018, thekson se numri i viktimave të qarkullimit rrugor në nivel botëror ka arritur në shifrën e 1,35 milionë njerëzve në vit dhe se vrasësi më i rrezikshëm i njerëzve mes moshës 5 – 29 vjeç janë aksidentet në rrugë.
I njëjti raport kërkon marrjen e masave drastike për sigurinë rrugore, duke theksuar se çmimi i paguar për lëvizshmërinë është shumë i lartë. Bashkimi Europian konsiderohet si një ndër zonat më të sigurta në botë në këtë fushë. Për periudhën 2010-2018 numri i fataliteteve në rrugët e BE u ul me 21 %. Në Shqipëri numri i fataliteteve prej aksidenteve rrugore në periudhën 2010-2019 ka njohur një trajektore me ulje të theksuar. Në vitin 2019 Shqipëria regjistroi 227 të vrarë në aksidente, nga 378 në 2009, me një ulje prej 40 %.