Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj e cilësoi sot si një vendim historik për të gjithë rajonin hapjen e negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ky vendim vjen pas tre raporteve pozitive të Komisionit Europian që dëshmuan se Shqipëria ka bërë të gjithë përparimin e nevojshëm në të gjithë kushtet për të filluar procesin e bisedimeve për anëtarësim. Ky vendim është një arritje historike meqenëse përfundimisht na fut në rrugën e anëtarësimit drejt BE-së, por natyrisht është edhe hapje e perspektivave të reja për reforma dhe detyrime të shumta”, tha Cakaj në një intervistë televizive.

Nga ana tjetër, shtoi Cakaj, “ky vendim nuk është një lajm i mirë dhe historik jo thjesht për Shqipërinë, por është edhe një lajm shumë i rëndësishëm për të gjithë rajonin, meqenëse pas shtyrjeve të njëpasnjëshme së paku që nga 2018 e tutje për çeljen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në rajon filloi të shfaqet një ndjenjë që gjoja se BE ka zbehur praninë e saj në rajon. Përfundimisht me vendimin e djeshëm për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është dëshmuar edhe njëherë se axhenda e zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor është fuksionale dhe se prania e BE gjithnjë e më tepër në rajon po bëhet më e fuqishme”.

“Në këtë kuptim ky është një lajm shumë i rëndësishëm veçanërisht për Shqipërinë, por ai ka një domethënie edhe më të gjerë për të gjithë Ballkanin Perëndimor”, theksoi Cakaj.

Cakaj nënvizoi se, “vendimi i djeshëm nuk është vetëm rrjedhojë e punës tonë të bërë së fundmi, por efekt i drejtpërdrejtë i punës së të gjithë institucioneve të përfshira në këtë proces. Që prej së paku një viti, që kur unë jam në detyrë, ne nuk kemi kursyer asnjë përpjekje politike e diplomatike për të bindur vendet anëtare për të marrë këtë vendim. Edhe në kohën e fundit pavarësisht nga situata e rënduar nga përhapja e virusit COVID-19, unë kam qenë në komunikim të vazhdueshëm, vazhdimisht në lidhje telefonike me të gjithë ministrat e jashtëm të BE dhe institucione të tjera me peshë në këtë proces për të marrë një vendim pozitiv për Shqipërinë ditën e djeshme”.

I pyetur në lidhje me fondin prej 50 milionë euro që BE ka akorduar për Shqipërinë në lidhje me situatën e përhapjes së COVID-19, Cakaj tha se, “kjo është ndihma e BE. Natyrisht është e mirëseardhur dhe dëshmon edhe njëherë për fuqinë e solidaritetit europian dhe për marrëdhënien e fuqishme mes Shqipërisë dhe BE. Ishte një plotësim i lajmit të mirë politik, tashmë që nga një marrëdhënie më e fuqizuar politike, BE është dhe një faktor i rëndësishëm që kontribuon në shëndetin publik të Shqipërisë e në fakt si pjesë e Europës”.

“Ne jemi në komunikimin të vazhdueshëm jo vetëm me institucionet e BE në përgjithësi tërësi, por edhe me vendet anëtare për të bërë më të mirën për shtetasit shqiptarë që qëndrojnë në vendet përkatëse ose që kanë mbetur në territorin e tyre”, tha Cakaj.

I pyetur në lidhje me materialet mjekësore të ardhura nga Turqia për të ndihmuar mjekët dhe nëse ka edhe vende të tjera që do të ndihmojnë Shqipërinë, Cakaj tha se, “së pari unë dua të nënvizoj që gjatë këtyre ditëve në komunikimin me ministrat e jashtëm të BE kanë qenë dy tema, menaxhimi i situatës së shkaktuar nga COVID-19 dhe lobimi për hapjen e negociatave. Angazhimi ynë nuk është kufizuar vetëm me vendet e BE, unë sot do të kem edhe tre telefonata të rëndësishme me shtete të mëdha jashtë BE, pikërisht në shërbim të sigurimit të medikamenteve të nevojshme dhe pajisjeve shtesë për të përballuar situatën. Sidoqoftë për të qenë korrektë edhe me kolegët e mi unë nuk po i zbuloj këto shtete”.

I pyetur nëse ka shtetas shqiptarë në emigrim që janë viktima apo të infektuar me COVID-19, Cakaj tha se, “ne disponojmë me statistika, por nuk më takon mua të zbuloj detaje shtesë. Me t’u shfaqur kjo krizë në MEPJ është ngritur ekipi i emergjencës për të asistuar ambasadat dhe konsullatat për të komunikuar me shtetasit shqiptarë që kanë nevojë për informacion ose për orientime në vendet përkatëse. Unë nuk mund të flas me numra specifik, ne po ndjekim situatën dhe në momentin që këto të dhëna duhet të ndahen me publikun do të bëhen në momentin e duhur”.

Sa i përket shtetasve shqiptarët të mbetur jashtë vendit, Cakaj tha se, “në këtë situatë shumica e vendeve të BE apo rajonit po i rekomandojnë qytetarët të qëndrojnë në vendet ku kanë mbetur. Pasi për të shmangur një situatë të zakonshme nuk mund të shkaktojmë një rrezik më të madh. Ajo që është më e rëndësishme në këtë fazë është ruajtja e shëndetit publik. Ne praktikisht jemi në një situatë lufte dhe në këtë fazë ndonëse ka shumë situata të pakëndshme duhet të kemi mirëkuptimin e plotë që secila lëvizje duhet të jetë në përputhje me normat e shëndetit publik”.

“Ambasadat dhe konsullatat kanë qenë tepër aktive në komunikimin me qytetarët. Ne kemi qenë në komunikim me një numër të madh shtetesh për të shmangur penalizmin për tejkalimin e lejeve 90 ditore, për t’i siguruar edhe për një kohë derisa të shmanget kriza. Duhet të jemi realist për situatën, është një situatë ku asnjëri prej nesh nuk është i lumtur. Me vendet që nuk e kanë dhënë këtë lehtësim jemi në kontakt të vazhdueshëm”, tha Cakaj.