Ministrja e Arsimit besa Shahini ka mbërritur në Fier për të parë nga afër gjendjen e gjimnazistëve. “ Kjo ka lidhje me një pajisje te përdorur nga nxënësit, edhe herën e parë edhe tani. Herën e parë e pamë si pakujdesi nga nxënësit që kanë dashur të bëjnë një sherr në shkollë. Por kjo tani është e patolerueshme , do marrim masat e nevojshme, policia dhe prokuroria kanë parë rastin, do gjejnë ata që e bënë , do shohim kamerat dhe çdo gjë tjetër.

Do marrim masa që mos të përsëritet më. Është e papranueshme. Shkolla do të marrë masa ndaj nxënësve, për më tepër do flasë policia. Do kemi më shumë oficerë policie dhe më shumë kamera në shkollë”, tha Shahini në një prononcim pasi vizitoi nxënësit.

Dhjetëra nxënës të shkollës së mesme të përgjithshme u dërguan sot me urgjencë mesditën e së mërkurës si pasojë e problemeve në rrugët e frymëmarrjes. Burime brenda spitalit bëjnë me dije se në ambientet e shkollës është spërkatur me “ga z pi per”.

Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që përsëritet e njëjta situatë. Herën e parë në spitalin e Fierit morën ndihmë mjekësore 7 nxënëse dhe 3 punonjëse, ndërsa sot numri i personave të dëmtuar, kryesisht nxënëse është disa herë më i madh, ndërkohë që zyrtarisht deklarohen vetëm 30.