Dy minuta video dhe pak fjalë të përmbledhura janë përgjigjja më e mirë për egoizmin e këtyre kohëve. Muajin e fundit kemi qenë dëshmitarë të fundit të një Europe, e nënkuptuar si një entitet i fortë politik, thotë gazeta e njohur italiane “Il Tempo”, në një shkrim kushtuar dërgimit të mjekëve dhe infermierëve nga ana e Shqipërisë në ndihmë të kolegëve të tyre italianë me rastin e pandemisë së koronavirusit.
Fillimisht dyer të mbyllura për Italinë për një ndihmë me punonjës shëndetësie, tani shumë “jo”-ra për ndryshimin e paradigmës ekonomike për të shpëtuar ekonominë e vërtetë.
Por, përgjigjja pra, vjen nga Shqipëria. Nga kryeministri Edi Rama, protagonist i kësaj shfaqjeje. Pas tij, burra me kostume antiinfeksion, që janë mjekë të gatshëm për t’u nisur në Itali për të dhënë një dorë kundër Covid-19.
Rama thotë se “unë e di që do të dukej e çuditshme për dikë këtu në Shqipëri që 30 mjekë nga ushtria jonë e vogël me uniforma të bardha janë tani në vijën e zjarrit në Itali”, një vend që e përcakton si “shtëpinë tonë, pasi Italia, motrat dhe vëllezërit tanë italianë na kanë shpëtuar, na kanë pritur dhe na kanë marrë në shtëpi kur Shqipëria digjej nga dhimbje të jashtëzakonshme”.
“Sot ne po luftojmë të njëjtin armik të padukshëm dhe burimet njerëzore dhe logjistike janë të kufizuara në luftën tonë. Megjithatë, ne nuk mund t’i mbajmë forcat tona rezervë, në pritje që ato të thirren, ndërsa në Itali po trajtohen në spitalet e luftës gjithashtu edhe shqiptarë. Është e vërtetë që të gjithë janë të mbyllur prapa kufijve të tyre dhe gjithashtu vende shumë të pasura u kanë kthyer shpinën të tjerëve”, thotë Rama.
“Mbase sepse nuk jemi të pasur, por as edhe të privuar nga kujtesa, por ne kurrë nuk e braktisim mikun në vështirësi”, thekson ai.
“Me kalimin e viteve, kundërgoditjet në Itali për emigracioni shqiptar jo gjithmonë kanë qenë të lumtura. Por, ideja e mirënjohjes dhe solidaritetit rikthen fisnikërinë në një kontekst krahasimi mbikombëtar”, shton ai.