Të gjithë të punësuarit, që kanë mbetur të papunë si pasojë e mbylljes së aktiviteteve me urdhër të qeverisë për të mos lejuar përhapjen e koronavirusit, do të përfitojnë pagë.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, gjatë një interviste televizive ka theksuar se, Qeveria ka vendosur të mbështesë ato që nuk kanë kapacitet apo likuiditet për të përballuar mbyllje 2 apo 3 muaj. Ajo tha se bizneset do të kenë kohë të dorëzojnë bilancet deri më 31 korrik.

“Pas akteve normative që kemi nxjerrë të gjithë bizneset janë të detyruar të dorëzojnë deklaratën e tatim fitimit brenda datës 31 mars, kjo është për të gjitha bizneset nga 0 deri pa kufi. Ndërsa pasqyrat financiare duhet t’i dorëzojnë brenda 31 korrikut që gjithashtu është data kur dorëzohet në QKB. Për ato mbi 14 milionë lekë, përveç deklaratës, do ta paguajnë edhe tatim fitimin”, – sqaroi Ibrahimaj.

“Duhet të kuptojmë që situata ka filluar në 10 mars dhe të gjitha bizneset e mëdha kanë stafe për pasqyrat dhe ne mendojmë se këto i kanë mbyllur para 10 marsit. Përgjigjja e pasqyrave financiare do të nxirrte edhe fitimin e vërtetë. Duhet të kuptojmë që situata ka vijuar pas datës 10 mars dhe duhet të kuptojmë që të gjitha ato biznese të mëdha që kanë financierë, kanë stafe që punojnë për të mbushur pasqyrat financiare, këto pasqyra i kanë mbyllur përpara datës 10 mars. Nëse do të ketë një numër biznesesh që nuk do të kenë diferenca ndërmjet tatimfitimit dhe asaj që deklarojnë në bilance, të gjithë tatimpaguesit kanë të drejtën të ndërhyjnë në deklarimet e veta deri në 36 periudha mbrapa. Në bazë të deklaratës së tatimfitimit do të llogariten edhe këstet e tatimfitimit”, – shoi ajo.

Duke u fokusuar te biznesi i madh, Ibrahimaj tha se, “është një grup teknik që po vlerëson situatën, dhe është duke menduar se çdo do të ndodhë nëse situata përkeqësohet. Por ende nuk ka vendimmarrje. Afatet për TVSH dhe sigurimet shoqërore. Afatet ligjore për deklaratën e TVSH dhe sigurimeve nuk do të ndryshojnë, pasi bizneset që po vazhdojnë punë kanë kapacitetin të kryejnë aktivitetin e tyre dhe të gjitha deklarimet mund t’i deklarojnë online”, – thekson Ibrahimaj.

Drejtoresha e tatimeve nënvizoi se niveli i të ardhurave deri tani janë 70-80%. “Jemi në nivelin 70 deri në 80% në raport me të ardhurat e vitit të kaluar, si pasojë e likuiditetit të vitit të kaluar. Megjithatë ne prisnim të ardhura më të ulta, sidomos për faktin se u goditëm edhe nga tërmeti. U bëj thirrje bizneseve që kanë mundësi të paguajnë, pasi mbështetja e qeverisë bëhet në bazë të ardhurave që mblidhen. Iu bëj thirrje të mbyllin deklarimin e tyre”, – thekson Ibrahimaj.

Lidhur me të punësuarit që kanë mbetur pa punë, Ibrahimaj sqaroi se “qeveria ka vendosur të mbështesë ato që nuk kanë kapacitet apo likuiditet për të përballuar mbyllje 2 apo 3 muaj dhe jemi përqendruar tek të punësuarit që të kenë të ardhurat. Që nga dalja e vendimit, DPT ka bërë një rregullore në mënyrë që verifikimi i tatimpaguesve dhe i të punësuarve të bëhet në mënyrë automatike. Për këtë arsye tek “efiling” po zhvillojmë një pyetësor, që do të jetë aty i parambushur automatikisht për bizneset dhe subjektet do të mbushin ato me listëpagesat. Ato biznese që janë me xhiro nga 5 deri në 14 milionë do të mbushin listëpagesat deri në janar. E vetmja e dhënë që duhet të plotësojnë janë llogaritë e të punësuarve. Tregoni kujdes me plotësimin e të dhënave sepse mund të pezulloni të punësuarit kur vendosni IBAN”.

“Ne jemi duke e vlerësuar, kjo është një masë që synon të mbështesë fillimisht të punësuarit dhe më pas bizneset. Nëse këto penalitete lidhen me këtë periudhë, nuk do merren parasysh”, – tha ajo

Ibrahimaj shtoi se shqetësim është të punësuarit në të zezë, pasi është vështirë të identifikohen. “Në fakt është shqetësimi që kemi pasur që kur filluam paketën e mbështetjes. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që ka informalitet në paga. Situata si këto duhet të bëjnë të ndërgjegjshëm që të mos punojnë në të zezë. Një pjesë e të punësuarve në të zezë do të mbështetet nga ndihma sociale apo pagesa e papunësisë, por është e pamundur të identifikojmë ata që punojnë në të zezë. Iu bëj thirrje atyre që punojnë në të zezë të deklarojnë dhe të denoncojnë nëse punojnë në të zezë, pasi vetëm të punësuarit formalë do të përfitojnë”, – thekson Ibrahimaj.

“Të gjithë tatimpaguesit janë të detyruar të paguajnë sigurimet për punonjësit e tyre, nuk ka një vendimmarrje për mbështetjen e këtyre kategorive të bizneseve, sigurisht nga ana humane do t’u bëj thirrje bizneseve të mos i largojnë njerëzit nga puna. Ne po ndjekim me bazë ditore largimet nga puna pasi është shqetësim për të gjithë ne nëse largohen punonjësit nga puna, po mendojmë një lehtësim dhe për bizneset e tjera. Për momentin është menduar paketa për bizneset që janë mbyllur me urdhër dhe jemi të ndërgjegjshëm që ka edhe biznese që janë dëmtuar, por ende s’ka vendimmarrje për ata që iu është reduktuar puna në biznes”, thekson Ibrahimaj.

Lidhur me abuzimet me çmimet, Ibrahimaj thekson se janë kryer kontrolle të përditshme. “Ne kemi kryer kontrolle në bashkëpunim me institucionet e tjera, me qëllim kontrollin e çmimeve. Kemi shkuar nëpër tregje dhe farmaci, në pjesën më të madhe çmimet janë rritur nga tregtarët e shumicës, dhe na ka detyruar të shkojmë tek furnitorët. Ata që janë gjetur në shkelje janë çuar për veprime të mëtejshme”, – tha Ibrahimaj.