Nga Ilir Yzeiri
Ilir Meta ka zënë vendin që kanë përgatitur prej kohësh të gjithë ata shqiptarë të cilët fati dhe makinacionet e ndyra i kanë nxjerrë në krye të politikës shqiptare, dhe që këtë shans të madh, e kanë shfrytëzuar për interesa thellësisht vetjake duke konsoliduar me këtë rast sloganin e njohur të « Atdheut-plaçkë », mall që mund ta blesh, ta vjedhësh, ta shkëmbesh e ta shkatërrosh në emër të një ideali të vetëm që është pasurimi me çdo kusht e me çdo mjet. Po çfarë është ky njeri që sot ka zaptuar presidencën dhe po iu dridhur qerpiku kërkon të destabilizojë vendin. Çfarë përfaqëson ai ? Një student mediokër në vitet ’90, Ilir Meta iu ngjit anijes që po mbytej të Partisë së Punës së Shqipërisë, e cila po përpiqej të ndryshonte emër e mentalitet dhe atje, së bashku me bashkëshorten e ardhshme, zaptuan një forum kalimtar siç ishte dhe është FRESH-i. Karriera e këtij njeriu nis me luftën pa asnjë princip për t’u bërë deputet dhe, siç kujtonte Bashkim Kopliku në një shkrim botuar këtu, ai është ndër të parët që futën elementet e banditizmit në politikën shqiptare.
Të gjithë kujtojnë se në atë kohë Meta bashkë me Majkon paraqiteshin si fytyra ndryshe e PS-së, por në qoftë se Majko ruajti profilin e politikanit të përunjur që nuk i mori koka erë në asnjë çast madje edhe atëhere kur fati e çoi në krye të Shqipërisë në një nga krizat më të rënda që po kalonte kombi shqiptar pas spastrimit etnik serb, Ilir Meta e shfrytëzoi një moment krize të PS-së dhe pa e kuptuar as vetë u gjend në krye të vendit si kryeministër. Se si ka qeverisur Ilir Meta dhe çfarë modeli ndërtoi ai në qeverisjen shqiptare e dimë të gjithë, por për të rifreskuar kujtesën duhet të lexosh shtypin e opozitës dhe raportimet e pavarura të asaj kohe. Korrupsion i paparë ndonjëherë, lidhje me grupe banditësh të krahinës së tij të vendosur në metropole, vjedhje e thesarit të shtetit dhe për t’i vënë vulën gjithë asaj maskarade që bëri ai me shtetin shqiptar, është e nevojshme të rikujtojmë përsëri krizën e rëndë ku e kishte futur Meta qeverisjen dhe PS-në dhe me këtë rast duhet të rikujtojmë lëvizjen për katarsis të Fatos Nanos dhe investigimin brilant që i bëri ai qeverisjes së Ilir Metës në mbledhjet e famshme të KPD-së në vitin 2001.
Nuk besoj se ka politikan në Shqipëri që të jetë diskredituar me fakte dhe me argumente siç është diskredituar Ilir Meta nga pjesa e shëndetshme e PS-së në atë kohë dhe nga opinioni publik po ashtu. Mirëpo, Ilir Meta në vend që të tërhiqej dhe të mendonte të mbrohej në gjykatë duke kundërshtuar akuzat e rënda që i bëri Fatos Nano dhe KPD-ja e asaj kohe, bëri atë që bëjnë të gjithë dështakët . Krijoi një parti tjetër me emrin Lëvizja Socialiste për Integrim dhe sigla e famshme «LSI» u bë sinonim i atij grupimi që ka si motiv dhe si slogan « Shqipëria-plaçkë ». Karriera e Ilir Metës ne krye të LSI-së nis si aleancë me Sali Berishën, arrin kulmin me bllokun e shënimeve në zyrën e Dritan Priftit. Pas kësaj masakra në Bulevard dhe katër të vrarë. Meqenëse politika shqiptare është aleancë me banditë dhe mungesë parimesh, PS-ja dhe Edi Rama iu nënshtruan « darkës së ngjalave » dhe, pas saj, qeverisën me Ilir Metën dhe më pas menduan se duke e bërë president do të shpëtonin përfundimisht nga një prej politikanëve më të korruptuar e bandit në Shqipëri.
Dhe kjo u vertetua shumë shpejt. Ilir Meta e dinte që po kërkonin ta largonin, por me djallëzi mendonte se pushteti i presidentit do ta ndihmonte të shkaktonte kriza, trazira dhe mos o Zot edhe gjëra më të rënda. Në fakt u gabua. Refroma në drejtësi që inicuan amerikanët dhe europianët ia dogji të gjitha kartat dhe i hoqi fuqinë e vetme që ka një president – dekretin. Ilir Meta tani është një zyrë e paligjshme dhe dekretet që ai prodhon nuk i përfill askush sepse janë të gjitha në shkelje të Kushtetutës. Ilir Meta në Shqipëri dhe Ramush Haradinaj në Kosovë janë kthyer në simbiozën e së keqes etnike dhe po bëjnë të gjithë përpjekjet herë me budallaki e herë me shpirt banditi që ta nxjerrin Shqipërinë nga binarët e orientimit perëndimor dhe ta fusin në krizë me SHBA-në dhe BE-në. Për fat të keq gjërat kanë ecur aq shpejt sa sot Ilir Meta ngjan me një kloun që do të dalë në Bulevard të zbavisë qytetarët. Asgjë më shumë. TemA