Nga Alfred Peza/ “Manifestimi” i 2 marsit u tha fillimisht se do të ishte një “besëlidhje” e re e Ilir Metës me shqiptarët. Edhe përpara, por edhe pas çdo dite të re që po kalon, jepet gjithmonë një arsye e re, një arsye e ndryshme përshkakun pse ai vendosi që ta lerë Presidencën dhe të dali në rrugë. Njëherë u tha se ky hap u ndërmor për tu përballur e për të zhbërë “grushtin e shtetit” të mazhorancës.
Herën tjetër u tha se do të dilte për ti prirë “revolucionit popullor”, që nuk po e duroka dot këtë qeveri. Më pas u tha se këtë po e bënte për tiu kundërvënë projektit të shpopullimit të Shqipërisë, pasi shumë qytetarë janë larguar vitet e fundit jashtë vendit. Pastaj u tha se kjo po bëhet për tri arësye të tjera; Për të mbrojtur Kushtetutën. Për të mbrojtur lirinë. Për të mbrojtur demokracinë. Një herë tjetër u tha se kryeqëllimi është që të “rivendosim vullnetin e sovranit në çdo institucion”.
Më parë ishte thënë se kjo po bëhej për të mos lejuar që të shtypej vullneti i popullit, të drejtat e qytetarëve dhe të drejtat e tyre kushtetuese. E kështu me radhë e pafundësisht, përmes shprehjesh standarde e parrullash politike, të cilat mund të ishin thënë kurdo që nga dhjetori i 1990 e deri më 2 mars 2020. Të cilat mund të thuhen çdo herë tjetër, edhe përgjatë 30 viteve të ardhshme.
Me sa duket në mungesë të një kuaze të vetme e të vërtetë politike, të një shqetësimi real qytetar, të një shkaku madhor të qenësishëm që buron nga një hall i madh kombëtar për tu adresuar për zgjidhje, duket sikur po sajohet çdo ditë nga një gjë e re. Me synimin e qartë se përmes nxitjes artificiale nga lart, të mund të krijojnë pakënaqësi e tensione sociale në vend, për ta detyruar Kryeministrin Edi Rama që të ulet për të bërë një pazar politik. Në pamundësi për ta arritur këtë, po mundohet që ti shtojë sa më shumë pikë profilit opozitar përpara syve të publikut, me shpresën se do të mundet që ta konvertojnë të gjithën këtë nesër, në një projekt politik e elektoral. E në fund fare, kur të vijnë zgjedhjet, edhe në vota e mandate përfaqësimi në Parlamentin e ardhshëm.
Skenari identik me këtë që po tentohet nga Meta përgjatë këtij viti, u zhvillua nga opozita shqiptare gjatë 2019. Ndryshimi i vetëm është se Basha, Berisha e Kryemadhi e nxorën opozitën nga Parlamenti në rrugë, duke bojkotuar më pas edhe zgjedhjet e përgjithshme lokale të 30 qershorit. Edhe ata folën dje, si Ilir Meta sot. Në emër të sovranit. Për “revolucion popullor”. Për zbatim të vullnetit të popullit. Për mbrojtje të demokracisë e shumë të tjera si këto. Fundi i historisë dihet tashmë. Opozita e rrugës as pazar politik nuk mori, as Edi Ramën nuk e rrëzoi dot dhe në fund të fundit, u detyrua që të rikthehet sërisht atje nga u nis. Në sistem. Por, vetëm pasi i kishte humbur të gjitha pushtetet rrugës.
Ndërsa Ilir Meta ka vendosur që të bëjë politikë duke mos e lëshuar zyrën e kreut të shtetit. Duke dashur që përmes saj të vetviktimizohet, me shpresën se kështu do të maksimalizojë, mbështetjen popullore për të. E kur e gjitha ajo që nisi në 2 mars do të përfundojë, qytetarët do kuptojnë se të folurit në emër të tyre për kazuse dhe halle të rreme kombëtare, ishte rruga përmes së cilës Ilir Meta kërkoi që të zgjidhte veç hallin e vet personal.