Nga Alfred Peza/
Kongresi zgjedhor i PS më shumë se çdo gjë tjetër, është kuptuar në opinionin publik, si starti i Edi Ramës për fitoren e mandatit të tretë qeverisës. Përtej reformës në drejtësi, projektit gjigand të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit, rrogës minimale, amnistisë për të ardhurat e padeklaruara, çeljes ose jo të negociatave me BE, etj. ka një arësye tjetër thelbësore që e bën realiste në planin politik, këtë synim ambicioz të socialistëve.Arritja e kësaj fitoreje në zgjedhjet e qershorit 2021, do të ishte një rekord absolut, i paarritur deri më sot nga asnjë forcë tjetër politike në Shqipërinë e këtyre 30 viteve të postkomunizmit. Për ta mundësuar këtë, në terma konkretë, Edi Rama deklaroi se PS i duhet të fitojë të paktën 800 mijë vota, nga 765 mijë që fitoi në zgjedhjet e 2017. Pyetja që lind është: Sa i mundshëm është ky objektiv dhe si mund të arrihet kjo, në kushtet kur duhet mbajtur parasysh edhe koeficienti i konsumizmit që pëson natyrshëm një parti politike, pas 8 vitesh në pushtet?Më duhet ta them që në fillim që është një objektiv shumë i vështirë, por jo i pamundur, në kushtet e realiteteve të reja politike që po zhvillohen në skenën shqiptare. Garancia kryesore për këtë, është jo vetëm opozita e dobët, e paorganizuar, e hallakatur, e pafuqishme, e paqartë dhe e paaftë për të krijuar një frymë ndryshimi përmes një programi dhe ekipi, që do ta rikthente në pushtet. Por, mbi të gjitha, aseti më i vyer i Edi Ramës në këtë sfidë të re, është faktori Ilir Meta.Projekti i tij politik i themeluar në vitin 2004, LSI tashmë ka dështuar. Pavarësisht se nuk e pranojnë, ky është tashmë një realitet. Sepse përndryshe, nuk do të kishte asnjë arësye se përse duke e patur aty partinë e tij, Ilir Meta ta shndërronte Presidencën aktualisht, në selinë e një partie të re që pritet të zyrtarizohet në vijimësi, pas protestës së tij politike të 2 marsit.Arësyet që çuan në dështimin e LSI lidhen ngushtësisht me mënyrën e funksionimit të saj. Ajo ishte një parti thellësisht pragamtiste, që mori fillimisht vota të majta dhe njerëzish të lëkundur. Për të grumbulluar me kalimin e kohës rreth vetes, njerëz që nuk i bashkonte filozofia, ideologjia, ndonjë program politik dhe elektoral specifik.Ilir Meta mori kurorën e “kingmaker”-it në një skenë bipolar ekstremisht të ndarë mes PS dhe PD, duke zbatuar parimin se nuk ka shumë rëndësi sa mandate ke, më e rëndësishme është se çfarë bën me to. Dhe ajo që LSI diti të bënte më mirë ishte të shkonte, andej nga shkonte pushteti. Duke u bërë pjesë herë e qeverisë me Sali Berishën, e herën tjetër me Edi Ramën.Në momentin që PS fitoi e vetme mbi 70 mandate, LSI humbi benefitet e pushtetit qëndror dhe në 30 qershor 2019, me djegien e mandateve të deputetëve dhe bojkotimin e zgjedhjeve, humbi edhe të gjitha pozicionet e përfaqësuesve të saj në pushtetin lokal. Pas kësaj, ra edhe formula mbi të cilën qëndronte në këmbë ky projekt politik.
Në këto kushte, doli e nevojshme që Ilir Meta ose të rindërtonte nga e para LSI gjë që është gati praktikisht e pamundur, ose të krijojë nga e para një parti të re. Në mënyrë që projekti i ri të mos pësojë fundin e të parës, tani qasja nuk është më si më parë; e majtë dhe pragmatiste. Ilir Meta po mundohet që të shfrytëzoje trendet dhe tendencat e reja në politikën globale, duke i veshur vetes aureolën e re të një lideri nacionalist, sovranist dhe antisistem. Tipare këto kryesisht të partive që i përkasin të djathtës ekstremiste Europiane.Elektorati që priret për ti ndjekur, mbështetur dhe votuar më pas këto lloj projektesh politike, vjen më së shumti nga radhët e së djathtës. Kjo bën që historia politike e Ilir Metës të jetë një film i parë tashmë. Në 2004, një vit përpara zgjedhjeve të 2005, LSI lindi si një projekt brenda PS për të përçarë të majtën, duke rikthyer në pushtet PD dhe Sali Berishën. Ndërsa sot në 2020, një vit përpara zgjedhjeve të qershorit 2021, “Besëlidhja…” e tij po lind si një projekt i ri brenda së djathtës. Çka i jep shanse dhe mundësi Edi Ramës dhe PS që të realizojnë objektivin e lançuar zyrtarisht në Kongres: Fitoren e mandatit të tretë qeverisës.
Atëherë Sali Berisha përmes LSI u bë Kryeministër përmes parimit “përça e sundo” të majtën. Ndërsa sot PS dhe Edi Rama kanë shansin që të vijojnë edhe për 4 vitet e tjera ta qeverisin Shqipërinë, përmes parimit “sundo të përçarët” e së djathtës.Këtë logjikë të analizës politike, e mbështesin edhe kalkulimet e ftohta elektorale. Aritmetika e rreth 250 mijë votave të LSI dhe LIBRA që mbesin pa sigël nga zgjedhjet e 2017, janë një minierë e jashtëzakonshme, për të amortizuar rrjedhjet e natyrshme për shkak të konsumit që mund të sjellin 8 vitet e qëndrimit të PS në pushtet. Duke e bërë në këtë mënyrë Ilir Metën, një garanci të shkëlqyer për fitoren e mandatit të tretë nga Edi Rama.