Isa Mustafa ka kërkuar mocion mosbesimi për qeverinë Kurti, pas shkarkimit të ministrit Agim Veliu pa u konsultuar më parë me kreun e LDK-së.

Dokumenti:

Në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Neni 100, Paragrafi 1, dhe në mbështetje të Rregullores së Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, neni 30, Paragrafi 1, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës parashtron:

Mocion Mosbesimi ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës.

kërkojmë që ky mocion të trajtohet brenda afateve kohore të parashikuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës neni 100 paragrafi 3.1, dhe Rregullores së Punës se Kuvendit të Republikës së Kosovës neni 30 paragrafi 1.

Arsyetim

Qeveria e Republikës së Kosovës erdhi në pushtet me besimin për ndryshim, për një momentum të ri, në aspekt të zhvillimit ekonomik të vendit, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, dhe konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, ndërsa Kryeministri në më pak se 50 ditë punë, përmes mos veprimit dhe pozicionimit jokonstruktiv në raport me partnerët strategjikë në përgjithësi dhe me Shtetet e Bashkuara të Ameriks në veçanti, ka pamundësuar funksionimin e saj.

Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj kanë si shtyllë të palëkundur aspirimin për integrim në Strukturat evro-atlantike.

Ndër vite është punuar shumë që të ndërtohet partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në veçanti për themelimin e Ushtrisë së Kosovës.

Megjithatë, qëndrimet e Kryeministrit Kurti kanë vënë në diskutim jo vetëm përkrahjen për Ushtrinë e Kosovës, por edhe kanë rrezikuar që të tërhiqen trupat amerikane nga Kosova, gjë që do ta rrezikonte automatikisht sigurinë dhe paqen në vend.

Mbështetja e siguruar ndër vite nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me rritjen e prezencës ekonomike amerikane, në vend për të asistuar në zhvillimin ekonomik, ka pësuar regres kohët e fundit si pasojë e kokëfortësisë politike të Kryeministrit Kurti, gjë që ka rezultuar në një situatë ku qeveria Amerikane bllokon Fondet e Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC) dhe tërheq një ndër investimet strategjike të parapara në sektorin e energjisë.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partitë e tjera në Kuvend, por jo vetëm, në vazhdimësi kanë paralajmëruar Kryeministrin Kurti dhe kanë tentuar ta racionalizojnë kërkesën për heqje të plotë të tarifës, si dhe humbjen e efektit politik të tarifës si mjet ashtu edhe për ruajtjen e marrëdhënieve të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët strategjikë.