Ndërsa Italia po përballet me rekorde të vdekurish për shkak të koronavirusit, Ish-kryeministri Matteo Renzi propozon rikthimin e jetës normale. Në një intervistë për “Avvenire”, ai ka sugjeruar që të hapet gjithçka, përndryshe njerëzit do të vdesin për bukë.

“Vaksinë nuk ka dhe nëse gjërat shkojnë në më të mirën e mundshme, mund ta përqafojmë sërish njëri-tjetrin pas një viti. T’i hapim të gjitha. Nuk mund të presim derisa të kalojë gjithçka. Nëse rrimë të mbyllur, njerëzit do të vdesin për bukë. Ka një rrugë të vetme: të bashkëjetojmë me virusin”, ka thënë ai.

Deklarata e ish-kryeministrit të majtë, mik i kryeministrit Rama, nuk mund të kalonte pa reagime. Emra të politikës italiane e kanë kundërshtuar menjëherë propozimin e tij. Por edhe autoritetet shëndetësore janë ngritur menjëherë kundër, duke e quajtur çmenduri propozimin e tij.

Ajo që mund të duket si një propozim provokues është në të vërtetë sugjerimi i një njeriu të politikës që nuk e mban mbi shpatulla peshëm e një krize të këtyre përmasave dhe mund të flasë kollaj nga të tilla pozita. Me siguri, si mik i afërt dhe bashkëpozues në selfiet e panumërta gjatë vizitave reciproke, Rama do ta kritikojë për një propozim të tillë. Është e pamundur të ndajnë të njëjtin qëndrim, duke qenë se tani qëndrojnë në nivele të ndryshme të politikës.

Ndërsa Italia regjistron çdo ditë të paktën 500 të vdekur dhe mijëra të infektuar rishtas, si dhe shtrëngon masat kufizuese, edhe SHBA dhe Britania sapo kanë hyrë në “zonën e nxehtë”. Ndryshe nga fillimet e pandemisë, kur thanë se do të ndiqnin një strategji të ngjashme me atë që propozon sot Renzi, edhe Johnson dhe Trump bënë kthesë dhe iu dorëzuan strategjisë së izolimit për të frenuar “armikun e padukshëm”, pergatiti Tema.