Eshtë një ishull në Baltik, ku gjithçka varet nga gratë. Shkrimin e gazetares së ditores Guardian, Rhiannon Lucy Cosslett, që merret me fotografitë e bëra nga Anne Helene Gjelstad në ishullin Kihnu Anne Helene Gjelstad ishte duke punuar në një projekt fotografik, në ishullin e vogël të Estonisë, në Kihnu, kur një nga fqinjët e ftoi në funeralin e një gruaje të vjetër, për të bërë ca fotografi. Fqinja e veshi fotografen norvegjeze me rroba të zeza, siç është zakon, përpara se ta çonin në kuzhinë ku trupi i Koksi Leida-s shtrihej në një arkivol të hapur. Gjatë ceremonisë, gratë e ishullit baltik luteshin, vajtonin dhe këndonin, përpara se burrat të vinin e arkivoli të nxirrej jashtë. Dëshmimi i këtyre momenteve të fuqishme femërore, e ndryshoi pikëpamjen e Gjelstad-it. “Kjo”, thotë ajo, duke treguar një imazh të grave të ulura rreth Leida-s, “është një nga momentet më emocionuese që kam përjetuar si fotografe. Ishte sikur kthehesh mbrapa në të kaluarën, por në të njëjtën kohë je në të tashmen. Mendoja se do të bëja një libër për artizanët estonezë, por krejt papritur bëhej fjalë për gratë e moshuara dhe për kulturën e tyre që po ndryshon kaq shpejt”. “Big Heart, Strong Hands” (Zemra e madhe, duart e forta) është libri i fotografive që ajo bëri në vendin që shpesh quhet Ishulli i Grave, e që na lejon të futemi në një shoqëri të ngushtë që mendohet të jetë matriarkati i fundit në Evropës. Kihnu është thjesht shtatë kilometra i gjatë dhe 3.3 kilometra i gjerë, me pikën më të lartë 8.9 metra mbi nivelin e detit. Shtrihet në pjesën lindore të detit Baltik. Janë afro 300 banorë gjatë gjithë vitit, shumica e tyre gra. Gratë e Kihnusë dhe të ishullit fqinj Manija, marrin çdo përsipër në tokën e thatë, teksa burrat historikisht kanë punuar larg shtëpisë – qoftë jashtë vendit, në territorin e Estonisë, ose në det duke gjuajtur foka dhe peshq. Ato janë mësuar me punë të rëndë e kohë të vështira, duke duruar okupimin 50-vjeçar sovjetik, ngricat dhe dimrat ashpër që i shkëpusin ishujt nga pjesa tjetër e botës. Ky izolim ka ndaluar zhdukjen e zakoneve të tyre. Martesa dhe mëmësia janë shumë të çmuara; vetëm gratë e martuara lejohen të veshin përparësen tradicionale. Foshnjat shpesh lindin në saunë dhe fëmijët shkojnë kudo me nënat e tyre. Populli flet dialektin Kinhu Kiel, i cili u shtyp nga sovjetikët. Është pak si finlandishtja që është e pasur me fjalët që përshkruajnë motin, veçanërisht ndikimin e tij në det dhe në akull. Për shembull, “tie” është akulli që është i mirë për kalim; “tuuloeauk” është akull i hollë e shumë i rrezikshëm për të ecur mbi të.
Ishujt janë të njohur për turistët, të cilët grumbullohen atje gjatë verës për të parë gratë tek parakalojnë dhe shfaqin folklorin e ishullit – të veshura me fustane tradicionale, me ngjyra të forta të ndritshme. Por, ato druhen nga të huajt. Filmbërësi estonez, Mark Soosaar, ka bërë dokumentarë për ishujt, duke u përqendruar te problemet e tyre sociale, veçanërisht te trashëgimia e alkoolizmit nga epoka sovjetike, që u përdor si mjet për të shtypur qytetarët e okupuar. Kjo e ka dëmtuar reputacionin e ishullit dhe nxiti mosbesim ndaj të huajve. “Njerëzit ndiheshin shumë, shumë të ekspozuar”, thotë Gjelstad. “Ishte kohë shumë e mundimshme për ta. Dua ta përmend, por jo ta theksoj”. Gratë do t’i ofronin Gjelstad-it bukë dhe birrë, si dhe verë të bërë nga manaferrat e rritura në kopshtet e tyre. “Ishte e jashtëzakonshme sesi jam ftuar në shtëpitë e njerëzve”, shkruan ajo në librin e saj, ku regjistron tregimet e grave për punën, luftën dhe jetën familjare. Qëllimi i saj është ta “ruajë këtë kulturë unike, për të ardhmen, dhe t’ua japë këtyre grave të vjetra e të mençura zërin që e meritojnë”. Gjelstad, që është 63 vjeçe, goxha vonë nisi të merret me fotografinë – pas shumë viteve si kreatore e modës. Gjatë një Simpoziumi të Thurjeve Nordike, ku ka marrë pjesë me kompaninë e saj “Close Knit World”, ndodhi që të takohet për herë të parë me gratë Kihnu e të zbulojë traditat e tyre të muzikës, vallëzimit dhe tekstilit. Mosha dhe gjinia e saj e ndihmoi të miqësohej me gratë, si dhe fakti se fliste pak estonisht. Gjithashtu, ajo e përdori një përkthyes, si dhe e plotësoi komunikimin me gjeste dhe përqafime. U preka kur pashë punën e Gjelstad-it: sa rrallë është të shohësh fotografi të grave të moshuara, të paktën në Mbretërinë e Bashkuar. Gjelstad duket e befasuar kur i them asaj se gratë e moshuara janë për ta ndjerë të padukshmen në Britani, sepse në Norvegji janë rritur tek i shohin burrat dhe gratë si të barabartë. Por, për mua është thelbësore t’i shohësh këta ishullorë të përshkruar me dinjitet, me humanizëm dhe respekt për punën e zakonet e tyre. I shohim duke qëndruar në këmbë ose të ulura në shtëpitë dhe kopshtet e tyre, me veshjet guximshme që përzihen me ngjyrat e heshtura të shtëpive, si dhe pamjet e shkreta të peizazheve dimërore që Gjelstad i ka vendosur në intervale përgjatë gjithë librit.
Në një fotografi, Tilli Alma rri ulur në cepin e një dhome të zbehtë, duke thurur e zbathur, teksa sytë e saj drejtohen tek puna. “E veshur me rroba zie, Tilli Alma për mua shpreh thelbin e kulturës Kihnu”, thotë Gjelstad. “Janë vijat e kaltra të kostumit popullor, korta e tyre, me kordonin e kuq në pjesën e poshtme që siguron mbrojtje. Përparësja tregon se është grua e martuar, megjithëse tani e ve”. Kjo mund të jetë fotografi e bërë në çdo pikë të historisë; këtu nuk ka asnjë referencë për modernitetin. Si e tillë, shtynë shikuesin të reflektojë për natyrën e punës së grave në të gjitha epokat, dhe se si është përshkruar kjo në art. Megjithëse kulturat janë të dallueshme, fotografitë e Gjelstad-it sjellin në kujtesë pikturat shumëngjyrëshe të grave fshatare të artistes avangarde ruse, Natalia Goncharova, ose veprën e Filipp Malyavin-it. Në të vërtetë, Tilli Alma mund të ishte subjekt i pikturës së tij të vitit 1895, “Fshatarja duke thurur çorape”, por tashmë e plakur. Ka vuajtje në fytyrën e Rilka Ann-ës teksa ajo ulet në kuzhinën e saj të hapërdarë, me fytyrën e kthyer kah objektivi. Tregimet e grave mund të jenë të zymta: ka histori vdekjeje, vuajtjesh dhe terrori. Një grua, Jarsumae Virve, i tha Gjelstad-it se u detyrua t’ia thoshte lamtumirën nënës që e nxorën jashtë dhe e pushkatuan. “Atëherë kemi dëgjuar tri të shtëna”, tregon ajo. “Pritëm në dhomë për ca kohë, para se të dilnim jashtë për ta parë”. Fëmijët e gjetën nënën të vdekur në dëborë – dhe “kaq të zbehtë”. Një tjetër grua, Sauendi Mann, humbi djalin e vogël kur u shtyp nga një pemë, pasi rusët e detyruan të punojë në pyll. Pra, ajo që del në pah është një pamje e forcës dhe rezistencës së femrës përballë okupimit, izolimit dhe tragjedisë. “Është me rëndësi të shkruhen historitë e tyre, sepse nuk u është kushtuar vëmendje grave të moshuara”, thotë Gjelstad. “Pyesin: ‘Pse doni të më fotografoni? Jam e vjetër dhe shëmtuar’. Them se është gjë e bukur të jesh e moshuar, por natyrisht nuk më pëlqejnë fare rrudhat e mia në fotografi”.
Ka buzëqeshje dhe copa humori mes portreteve, si dhe mprehtësi. E dua pamjen e Moisa Mann-it, me atë qetësinë krenare në portretin e saj, si dhe shprehjen e Sauendi Mann-it në imazhin e kopertinës – një nga të preferuarat e Gjelstadit. “Ky imazh tregon sesi mund të dukej ajo kur ishte vajzë e vogël. Kjo në një mënyre e tregon vajzën e re dhe gruan e vjetër”, thotë ajo. Gjelstad gjithmonë është interesuar për gratë e moshuara dhe për tregimet e tyre. “Mendoj se kam lindur e moshuar”, thotë ajo. “Kam mësuar artizanatin dhe vizatimin prej tyre. Si fëmijë isha pak e vetmuar, edhe pse kisha një motër dhe një vëlla, dhe familje përreth. Ndjehesha pak më ndryshe”. Tekstilet tregojnë historinë e një kulture. Kjo është arsyeja se pse shkoi fillimisht në Kihnu, për të fotografuar. Ngjyrat e rrobave të grave janë shumë simbolike: e kuqja është rinia, lumturia dhe gëzimi; e kaltra është pikëllimi. Por, kur ishujt ishin nën kontrollin sovjetik, gratë nisën të mbajnë veshje sportive. Ndaj, shpesh mund t’i shohësh ato duke bërë bashkë një xhup “Nike” me fustanin dhe shaminë tradicionale. Por, në një shoqëri matriarkale që çmonte martesën, disa njerëz u lanë mënjanë. “Ishte shumë e vështirë për gratë që nuk gjetën një burrë, që nuk u martuan e nuk patën fëmijë”, thotë Gjelstad. “Ato nuk konsideroheshin të vlefshme, sa gratë e tjera”. Dasmat do të përfshinin tërë fshatin dhe ishin ngjarje treditore me muzikë dhe valle. Traditat e tilla po vdesin, teksa gratë e reja po largohen në kërkim të arsimit – që dikur ishte më pak i vlefshëm sesa puna fizike, siç është bujqësia – dhe për kujdes për fëmijët. Sot nuk është gjë e panjohur për të rejat që të jetojnë me dikë pa dasmë zyrtare. Në vitin 2019 ishin më shumë se 300 njerëz që jetonin gjatë gjithë kohës në Kihnu. Së bashku me Manijan dhe një duzinë të tjerësh që jetojnë vetëm gjatë verës, ato përbëjnë Hapësirën Kulturore Kihnu, të shpallur nga UNESCO si “kryevepër e trashëgimisë gojore të paprekur të njerëzimit”. “Zemra e madhe, duart e forta” është pjesë e përpjekjes për të ruajtur këtë shoqëri unike dhe zakonet e saj përgjatë shtimit të vlerave perëndimore.
Është po ashtu interesant se kur një grua i mbush 60 vjet në Kihnu, ajo nis të përgatitet për varrimin e saj duke i qepur vetë rrobat e bukura dhe duke thurur dorezat për burrat më të rinj që ajo i ka zgjedhur që të jenë varrmihësit e saj. “Është vërtet e trishtueshme”, thotë Gjelstad. “Mendoj se kam fotografuar 35 gra dhe tani ndoshta 10 janë akoma gjallë”. Tiidu Mari, një tjetër grua e fotografuar, vdiq vitin e kaluar. Në portretin e saj të bërë më 2017, ajo buzëqeshi si e trishtuar tek objektivi, por sytë e saj shkëlqenin. Ishte personi më i vjetër në Kihnu dhe kishte frikë se me largimin e kaq shumë ishullorëve, ishulli do të heshtte e se shumë shtëpi do të mbesin bosh. Gjelstad premtoi se do t’ia dhurojë nipërve të saj një kopje të librit, në mënyrë që ata ta kujtojnë gjyshen e tyre – rrënjët dhe zakonet e të gjithë paraardhësve në këtë ishull unik të grave. /Telegrafi/