Bashkë me situatën jo të zakonshme për shkak të virusit corona që ka shënuar edhe viktimën e parë në Shqipëri, janë rikthyer edhe lajmet e rreme gjithfarësh dhe informacionet e qëllimta të cilat kërkojnë që në vend të informimit, të ngjallin panik mbi opinionin publik. Kjo situatë është e ngjashme me atë të pas tërmetit të 26 nëntorit në Durrës, Tiranë e qarkun e Lezhës, kur persona të njohur e të panjohur, u përfshinë në një dukuri të të tillë për qëllime nga më të ndryshmet. Disa prej tyre përfunduan në dyert e gjykatave, duke u përballur me akuzat që parashikojnë ligjet tona për raste të tilla.
Ndryshe nga hera e parë, lajmet që përhapin panik mbi qytetarët këtë radhë po përcillen më së shumti nga politikanë të opozitës, por edhe individë të ndryshëm, të cilët kanë ndërmarë prej ditësh e sidomos orët e fundit, një fushatë skizofrenike duke përhapur disinformacion. Duhet të ndajmë informacionet e pakonfirmuara që shpërndahen në mënyrë të paqëllimte, nga mosdija, mosnjohja apo mos verfikimi i provave dhe fakteve, nga fushata e vullnetshme për të përhapur panik për përfitime politike apo të natyrave të tjera.
Ekspertët antikrim sqarojnë se në rastet kur veprimtaria është e qëllimshme, personat duhen identifikuar dhe pa asnjë mëdyshje drejtësia dhe organet ligjzbatuese duhet që të veprojnë pa asnjë hezitim, pasi rreziku shoqëror i tyre është tepër i lartë. Në këtë rast thonë ata, aplikohet neni 267 i Kodit Penal i cili parashikon masat ndëshkimore për “përhapjen e informatave të rreme që ngjallin panik”. Ky nen shprehimisht thotë: “Përhapja e informatave apo njoftimeve të rreme me fjalë, me shkrim apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në 5 vjet”.
Në këto kushte, nuk është çudi që në orët e ditët në vijim, një nga masat që mund të ndërmeren ndaj atyre që qëllimisht janë duke e shkelur këtë nen të ligjit, të dëgjojmë për ndalime dhe procedime penale, siç ndodhi edhe pas tërmetit të 26 nëntorit 2019./Alpenews.al