Nga Ardit Rada
Nuk e kam zakon të fajësoj askënd që rend pas lajmit të fundit dhe atij ekskluziv, sepse ato kërkojnë gjithmonë konfirmim me kohën. Teksa pritej që lufta e tretë të bëhej për klikime, koronavirusi nxitoi për të na mbyllur brenda duke sjellë edhe budallepsje. Dhe kush u zhgënjye nga ky zëvendësim, nxitoi deri në dalldi për të bërë klikime me koronën.
Në morinë e mijëra lajmeve të pakonfirmuara, spikati sot ai për banorin e Vorës, Qazim Ismaili.
Unë nuk dua të tregoj licencat e tij si infermier. Aq më pak të merrem me portalin që e cilësoi si “pompisti i veshur si mjek”. Dua të them disa të vërteta, për ju që nuk e njihni infermierin vorak. Sepse unë e njoh!
Qazim Ismaili punon në karburant, sepse njësia bashkiake Vorë nuk ka spital që të kërkojë infermierë. Si çdokush, as Qazimi nuk ka pasur interes të bëjë Vorë-Tiranë-Vorë për rrogën e infermierit. Ndaj ka zgjedhur të punojë në karburantin pranë shtëpisë së tij, në fshatin Marqinet.
Por ai është infermier, dhe më tepër italian e shqiptar sesa artikullshkruesi. Dhe e dini pse?
Ka punuar katër vite në Spitalin Ushtarak. Më pas për 9 vite në Spitalin Nr.2 dhe pesë vite të jetës së tij si infermier në Itali.
Ai është kthyer në Shqipëri në vitin 2008 pas vrasjeve dhe plagosjeve shtetërore në Gërdec.
Qazimi është baba i tre fëmijëve: Jonidës, Artiolës dhe Roelit.
Artiola vuan nga zemra dhe u dëmtua nga shpërthimi i Gërdecit. Borxhi që Qazimi u ka italianëve për fëmijët dhe shtëpinë e tij, e ka sqaruar ai vetë.
Unë po përpiqem të sqaroj pa paragrafë të mbushur me metafora e fjalëkryqe, jetën e infermierit që dikush e bëri pompist. Ndoshta sepse i kapardisur në fuoristradë, një mëngjes teksa udhëtonte drejt Dhërmiut, e ka vënë re në karburantin e Vorës.
Por Qazimi është si shumë profesorë që i gjen edhe duke shitur banane apo paketa duhani. Por është si askush tjetër, që lë fëmijët e sëmurë për t’i kthyer borxhin Italisë!