Përballë epidemisë së Covid-19 që ka izoluar në shtëpi rreth 1/3 e popullsisë së globit, shtete të ndryshme kanë ndjekur qasje të ndryshme.

Shqipëria është një ndër vendet që vendosën që në regjistrimin e rasteve fillestare masa drastike, duke nisur nga mbyllja e shkollave në 8 mars dhe ndalimi i lëvizjes në 14 mars.

Vende të tjera, si SHBA, Anglia apo Franca u treguan skeptike për të vendosur menjëherë kushtet e karantines, të cilat edhe sot janë në fuqi pjesërisht ose prej vetëm pak ditësh.

Si rezultat, përhapja në secilat prej këtyre shteteve është në një rritje të vazhdueshme ditë pas dite, ndërsa ne vendet që karantina është vendosur më herët, përshi Shqipërinë, Italinë apo Spanjën, shenjat e para tregojnë se piku ka kaluar dhe trendi është në rënie, edhe pse të ngadaltë.

Të dhënat globale, nga Shqipëria, Kina, Italia dhe Spanja tregojnë një të vertete universale.

Është dita e 13 pas vendosjes së karantinës, ajo në të cilën regjistrohet numri më i madh i infektimeve.

Në Shqipëri, në 27 mars, ditën e 13 pas vendosjes së izolimit u regjistruan 28 të infektuar të rinj dhe që prej asaj dite, numri ka rënë në 10-15 në ditë.

Në Kinë, piku u regjistrua pikërisht 13 ditë pas izolimit, me mbi 3800 raste. Në vijim, trendi u ngadalësua deri në atë pikë sa që Kina sot është vendi i vetëm që pothuajse e ka fituar betejën me Covid-19.

Në Spanjë, kufizimi i plotë nisi në 15 mars. Në 27 mars u regjistruan rreth 8300 raste, ndërsa në tre ditët e fundit trendi ka nisur të bjerë.

Në Itali, përsëri piku u arrit në ditën e 13 pas kufizimeve të plota, edhe pse më shumë se rënie ditët e fundit ka pasur një stabilizim në një shifër midis 5-6 mijë prekjesh në ditë, kjo edhe sepse karantina në Itali nuk u bë e menjëhershme, por gradualisht në 4-5 ditë.

Megjithatë, për të marrë përgjigje se si ka ndikuar në trend dhe se sa jetë ka shpëtuar, hipotetikisht, karantina në Shqipëri, krahasimi më i mirë është me vendet e rajonit, si Serbi apo Kroaci.

Ndërsa Shqipëria u bë vendi i dytë europian (në 8 mars), pas Italisë në 4 mars që mbylli shkollat, shkollat në Serbi dhe Kroaci u mbyllën vetëm në javën e tretë të marsit.

Në Serbi, Presidenti Vuçiç fillimisht u shpreh se masat ekstreme nuk ishin të nevojshme dhe as të dobishme, por si rrjedhojë e përhapjes së shpejtë, edhe Beogradi u detyrua të ndërronte kurs dhe të izolonte qytetarët në shtëpi.

Në Kroaci, situata gjithashtu ishte e ngjashme, me izolimin e plotë që ka vetëm një javë në fuqi.

Si rezultat, ndërsa prekjet e para u shënuan pak a shumë në të njëjtën kohë në të tre vendet, Kroacia me 4.2 milionë banorë ka arritur në 790 raste, +77 vetëm sot. Serbia, një vend me 7.2 milionë banorë ka arritur në 785 raste, +44 vetëm sot.

Ndërsa në vendin tonë regjistrohen 223 të prekur nga Covid-19, nga të cilët 11 të infektuar të rinj ditën e sotme.

Për frymë, Kroacia shënon sot tre herë më shumë të prekur, ndërsa Serbia dy herë më shumë.

Prandaj, edhe pse të dhënat të sakta janë të pamundura të përcaktohen, nuk është spekulim të thuhet që nëse karantina do të kishte vonuar qoftë edhe një javë më shumë, ndjekur statistikat e rajonit Shqipëria mund të kishte sot dy-tre herë më shumë të infektuar e rrjedhimisht, edhe 2-3 herë më shumë fatalitete./Lexo.al