Kryetar i Bashkisë Klos, Ilmi Hoxha tha për ATSH-në se procesi i ndarjes së ndihmave për familjet në nevojë vazhdon në të gjitha njësitë administrative dhe deri më tani janë ndarë 134 pako ushqimore dhe medikamente.
Hoxha tha se grupet në terren po identifikojnë familjet që kanë nevojë dhe deri më tani janë identifikuar 350 familje ndërsa janë asistuar me ndihmë 134.
“Po punohet fort që të sigurohen ndihma ushqimore për familjet më në nevojë. Brenda pak ditësh ky proces do të marrë jetë e do t’i shtohet operacionit humanitar që bashkia Klos ka ndërmarre që prej fillimit të kësaj situate. Janë identifikuar 258 familje me të moshuar të vetmuar, të cilëve do iu plotësohen nevojat nga grupet e bashkisë në shtëpitë e tyre”, u shpreh Hoxha.
Hoxha tha se vijon shërbimi dhe kujdesi i veçantë për moshën e tretë.
“Pas shpërndarjes së 112 pakove ushqimore për familjet në nevoje, dhe familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, kujdesi për moshën e tretë është tashmë prioritet për drejtuesit e lartë dhe ekipin e bashkia Klos”, tha ai.
“Bashkia Klos me anë të grupeve të patronazhit vazhdon me asistimin për plotësimin e nevojave bazike për të moshuarit. Shërbimi konsiston në blerjen e medikamenteve shëndetësore dhe ushqimeve si dhe transporti i tyre në shtëpi. Deri më tani janë asistuar 50 familje me pensionist të vetmuar që kanë marrë shërbimet në shtëpi me asistimin e Bashkisë Klos”.
Ai tha se puna vazhdon çdo ditë dhe do të vazhdoje deri ne normalizimin e situatës.
Po ashtu, kryetari i bashkisë Klos Ilmi Hoxha iu bëri apel qytetarëve të respektojnë rregullat e qëndrimit në shtëpi dhe oraret për vetëizolimin.
“Qytetarët e bashkisë Klos janë të ndërgjegjësuar tashmë për qëndrimin në shtëpi dhe respektohen të gjitha oraret. Qyteti boshatiset në orarin e përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale si dhe udhëzimet e qeverisë”, tha ai.