Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi në një konferencë një urdhër të ri të ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në Shqipëri. Nga sot do të anulohen të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale të planifikuara duke përjashtuar patologjitë malinje.
“Urdhër i ri ka të bëjë me kufizimin dhe ndalimin e ndërhyrjeve operatore kirurgjikale duke përjashtuar patologjitë malinje. Nuk do të ketë asnjë ndalim për shërbime kirurgjikale të urgjencave”- sqaroi ministrja Manastirliu. Ajo tha ndër të tjera se Shqipëria ka tashmë një “personel të mirëtrajnuar” për tu përballur me këtë virus.
“Kemi pasur kohë për të bërë trajnime sipas protokolleve të OBSH-së. Ju them të keni besim tek personeli ynë shëndetësor. Nuk është hera e parë që përballemi me këto situata”,- vijoi ajo.
Ja lista e plotë e urdhrave:
1- Janë mbyllur të gjitha institucionet arsimore publike dhe jo publike në vend për një periudhë dy javore.
2- Janë mbyllur aktivitetet publike dhe jopublike. Anulohen grumbullimet masive në vende të mbyllura apo të hapura. Përfshi këtu: Aktivitete sportive, kulturore dhe konferenca deri më 3 prill
3- Është urdhëruar kufizimi i lëvizjes së shoqëruesve ose familjarëve të pacientëve nëpër spitale. Një gjë e tillë do të lejohet vetëm kur janë pajisur me lejen e drejtorive të spitaleve
4- Është urdhëruar vetëkarantinimi i të gjithë personave që hyjnë nga zonat e prekura të Italisë në Shqipëri. Moszbatimi i këtij urdhri do të jetë i dënueshëm me gjobë
5- Ndalohet eksporti i barnave dhe pajisjeve mjekësore nga Shqipëria. Një gjë e tillë lejohet vetëm me autorizim të posaçëm nga MSH
6- kufizimin dhe ndalimin e ndërhyrjeve operatore kirurgjikale duke përjashtuar patologjitë malinje. Nuk do të ketë asnjë ndalim për shërbime kirurgjikale të urgjencave.