Në ndihmë të maturantëve dhe përgatitjes së tyre në prag të provimeve, janë vënë në dispozicion dy botime me teste të zgjidhura si dhe me përgjigje që kanë penalizuar nxënësit e vitit të kaluar. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka publikuar librat në ndihmë të maturantëve, gjatë periudhës së ndërprerjes së procesit mësimor. “Gjatë periudhës së ndërprerjes së procesit mësimor, punoni me librat e Maturës Shtetërore, që janë përmbledhje e testeve dhe skemave të vlerësimit për gjuhën e huaj, matematikën dhe lëndët me zgjedhje për vitet 2011-2019. Këta libra ju vijnë në ndihmë për t’u familjarizuar me natyrën e testeve dhe të pyetjeve që përdoren në këto teste”, -thotë Shahini.
Botimi i parë ka të bëjë me testet e Gjuhës Shqipe dhe të Letërsisë, të maturës së kaluar 2019, ku është testi dhe janë edhe përgjigjet e sakta. Po ashtu aty janë të ilustruara edhe përgjigje që kanë dhënë maturantët dhe pse janë penalizuar për përgjigjen që kanë dhënë. Botimi i dytë ka të bëjë me testet e lëndëve të tjera, testet e lëndëve me zgjedhje. Ky fond i ndihmon maturantët gjatë gjithë procesit.