Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaron se ka një shtim të pritshëm të rasteve me koronavirus në Shqipëri pas zbulimit të dy rasteve të para. E ftuar në “Real Story” në News24, Manastirliu tha se po ndiqet një procedurë e standardizuar me OBSH. Sa i përket dy rasteve të para me koronavirus, babë e bir dhe mundësisë së përhapjes në një shkallë më të gjerë, duke qenë se babai kishte qenë i pranishëm në një funeral, ministrja tha se po bëhet një hetim epidemiologjik.
“Ka një hartë, quhet hetim epidemiologjik. Ecim në bazë të protokolleve standarde. Krijohet harta e kontakteve. Pikë së pari hetohen kontaktet e para, të ngushta dhe më pas hapen rrahët e kontakteve të tyre duke hulumtuar, investiguar, duke këshilluar apo duke marrë direkt analizat në raste kur kanë shenja. Ne i kemi këshilluar dhe tashmë vetëkarantina është e detyruar për të gjithë ata që kanë pasur kontakte apo lidhje me persona të cilët janë të konfirmuar. Është rregull për të gjithë. Apel për të gjithë ata që janë informuar nga strukturat për vetëkarantinim duhet ta zbatojnë këtë rregull dhe të ndjekin të vetmen rrugë që ekziston, numri 127 i urgjencës kombëtare”, deklaroi Manastirliu, raporton “BalkanWeb”.
Por a ka një vatër të identifikuar, ku kanë jetuar dhe kanë punuar dy pacientët e parë të cilët kanë pasur një bar-kafe? Manastirliu thotë se “do ta themi shumë shpejt nëse jemi në momentin e një transmetimi komunitar”. “Aktualisht kemi një total testesh të realizuar, 114 testime të kryera, 10 kanë rezultuar pozitive. Në proces kemi 43 analiza apo testime që besoj përfundojnë shumë shpejt dhe po vijon marrja e mostrave në personat e kontaktit dhe duke vijuar investigime të mëtejshme, për të mundësuar frenimin e virusit”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë.