Sipas mjekut infeksionist, Pëllumb Pipero, është ende herët për të parë rezultatin e masave drastike të ndërmarra nga autoritetet shtetërore për parandalimin e koronavirusit të ri, Covid-19.
Në një intervistë nga banesa e tij me A2, Pipero gjithsesi tha se masat nuk mund të konsiderohen ekstreme. “Janë marrë në kohën e duhur dhe sot më shumë se kurrë është koha të mos bëjmë pyetje pse nuk u bë dje, por çfarë do të bëjmë sot dhe nesër. Në gjykimin tim, masat janë marrë ku e ku më shpejt se sa në Itali, por duhet të presim së paku dy javë për të parë impaktin, sepse ky është një virus me inkubacion të gjatë, dy ose tri javë”, tha ai.
“Mendoj që një javë me masa drastike ka mjaftuar për të ndërgjegjësuar qytetarët që nuk duhet të lëvizin. Nuk ka asnjë mjet tjetër për të parandaluar përhapjen e shpejtë të epidemisë. Që të na lërë mundësinë ne mjekëve ta përballojnë me kosto më të vogël”.
Sipas Piperos, numri i rasteve në ditët në vijim do të vazhdojë të rritet, kjo edhe bazuar në atë që ka ndodhur në shtetet e tjera të globit. “Eksperienca e Kinës dhe Italisë, por edhe nga studimet në rrafshin e epidemiologjisë, dëshmojnë që pas çdo rasti të konfirmuar të diagnostikuar fshihen 10 apo 15 raste të tjera, saktësisht të infektuar, por jo të diagnostikuar, pasi nuk kanë pasur shenja të sëmundjes dhe nuk kanë shkuar te mjeku”, tha ai.
Pipero bëri edhe një herë thirrje ndaj personave që shkojnë në spitale për t’u vizituar, që të tregojnë historikun e udhëtimeve ose nëse kanë pasur kontakte me persona që kanë udhëtuar në vende me përhapje masive.
“Fakti që 1 apo 2 mjekë janë konfirmuar si pozitivë, dëshmoi që mjekët dhe personeli shëndetësor janë më të ekspozuarit, më të rrezikuarit. Nëse personeli shëndetësor nuk ka informacion paraprak për historikun e lëvizjeve apo ekspozimit të pacientëve është e vështirë të identifikohet dhe është e lehtë të infektohemi”, tha Pipero. “Askush nuk e ka të shkruar në ballë se është i infektuar. Secili nga ne duhet ta konsiderojë veten potencialisht të infektuar dhe duhet të bëjë kujdes për veten dhe të tjerët”.