Shumë bare dhe restorante në Tiranë kanë mbyllur vullnetarisht bizneset e tyre, si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit. Kryeministri Edi Rama paralajmëroi dje mbylljen e të gjitha restoranteve, bareve dhe lokaleve në Tiranë dhe në Durrës, në kuadër të përshkallëzimit të masave kundër përhapjes së koronavirusit, ndërkohë që i menjëhershëm ishte reagimi i bizneseve të cilat u vetëmbyllën pa pritur formalizimin e urdhrit.
“Shembullore. Frikë aspak, kujdes po! Shumë madje! Respekt”, shkruan Kryeministri Rama, duke ndarë foto të lokaleve dhe restoranteve të mbyllura, si dhe të mesazheve sensibilizuese që ata kanë shpërndarë.