Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, sqaroi edhe njëherë vendimin për të shtyrë me tre muaj këstet e kredive.
Në një lidhje me “Skype” në rubrikën “Opinion”, në News24, Guvernatori Sejko theksoi se kjo masë është marrë më shumë për të shmangur kontaktet mes njerëzve, për shkak të përhapjes së koronavirusit, dhe vlen për të gjithë ata që kanë vështirësi financiare ose nuk kanë mundësi të shkojnë te bankat.
Sipas Sejkos, këstin e kredive mund ta paguajë kushdo që dëshiron, pasi bankat do të jenë në punë gjatë gjithë kohës.
Intervista:
Pse e morët masën për shtyrje të këstit të kredive?
Jemi koshientë për situatën e jashtëzakonshme, Banka e Shqipërisë ka qenë duke analizuar situatën, që në fillim të kësaj gjendjeje me epideminë që kemi nëpër këmbë. Kemi shpërndarë udhëzime në bankat e nivelit të dytë, ëpr t’i orientuar dhe për të marrë masa. Do doja të theksoja se ne sot jemi në krizë shëndeti, jo ekonomie. Kemi marrë masa që sistemi bankar të vijojë punën.
Kemi vendosur të shtyjmë këstet për tre muaj, duke supozuar që në tre muaj kohë do ketë kaluar kjo situatë pandemie. Kjo periudhë tremujore nuk do të krijojë probleme për bankat. Bankat nuk u krijohet asnjë problem, por problemi është për të ndihmuar klientët, nëse nuk do të kenë mundësi të bëjnë pagesat për këto tre muaj. Por, ata klientë që kanë mundësi, janë të lejuar të paguajnë këstet, bankat janë të hapura. Bëhet fjalë për ata klientë që mund të kenë vështirësi financiare. Kjo nuk fal këstet e kredisë.
Kur dikujt i hidhet paga mujore, automatikisht i merret kësti. Kjo do vazhdojë sërish?
Po. Kjo do vazhdojë normalisht, nuk ka asnjë problem. Kjo masë është marrë për ata klientë që kanë vështirë financiare, ose për ata që e kanë të pamundur të shkojnë te banka, si dhe për të zvogëluar sa më shumë kontaktet mes njerëzve. Kjo do të ulte numrin e klientëve në bankat e nivelit të dytë. Shpresojmë që epidemia të mos avancojë më tej, që të na detyrojë të marrim të tjera masa.
Mund të shkojë deri te mbyllja e bankave?
Nuk besoj se do të arrijmë atje, nuk parashikojmë, por asgjë nuk mund të them në këto momente. Po marrim masa parandaluese që të izolojmë sa më shumë njerëzit.
Punonjësit e bankave po kujdesen për të mos përhapur koronavirusin, keni informacion nëse ka njerëz të prekur nga nëpunësit e bankave apo që janë në vetëkarantinim?
Jo, nuk kam informacion. Deri tani nuk kemi asnjë punonjës të prekur nga koronavirusi. Deri tani nuk kemi informacion që të kemi një punonjës të bankave të prekur, nuk e dimë nëse do të kemi në ditët në vijim. Është shumë e rëndësishme të respektojmë masat.
23 persona janë prekur deri tani, a mund të më tregoni sa goditet ekonomia shqiptare nga koronavirusi?
Është e vërtetë që ne kemi filluar të analizojmë efektet e kësaj epidemie në ekonomi. Natyrisht që ekonomia do të ketë efekte negative, tregjet ndërkombëtare kanë pësuar humbje miliarda euro, ekonomia jonë do të ketë efektet e saj në këtë situatë. Po shohim ndërmarrjet fasone që po hasin vështirësi.
Ekonomia do të ketë pasoja, por nuk parashikojmë që të bie në recesion. Në ditët e ardhshme do kemi mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës, ku do të merren edhe vendime. Primare aktualisht është të parandalojmë përhapjen e virusit. Sa më rigorozë të jemi në parandalimin e përhapjes së koronavirusit, aq më të vogla do të ishin pasojat në ekonomi nesër.
I kemi mekanizmat për t’u ringritur?
Nuk e dimë akoma, sigurisht që i kemi mekanizmat për t’u ringritur. Nuk parashikojmë të arrijmë në ato nivele që të kishim nevojë për mekanizma tjerë. Mos të krijojmë panik, është e rëndësishme të kemi një situatë të qetë, të jemi të organizuar, të respektojmë rregullat, që të shmangim virusin. Për momentin po analizojmë disa skenarë, sipas analizave tona, kemi gjithë disponentët e duhur për të reaguar në një skenar negativ.
Do mbyllen bankat që nesër?
Nesër është një vendim i Këshillit të Ministrave për të mbyllur të gjithë institucionet dhe është mirë të mbyllen edhe bankat. Nuk ka asnjë problem që bankat të mbyllen nesër, pasi kemi marrë masa. Kjo masë është marrë për të shmangur kontaktet.
Jeni takuar me Presidentin Meta, çfarë diskutuat?
Po, sot në mëngjes pata një takim me kërkesë të Presidentit. E informova lidhur me analizat që po bën Banka e Shqipërisë, ndikimin që do të ketë situata tek ekonomia. Kam theksuar se situata është nën kontroll, po merren të gjitha masat për të parandaluar problematikat. Ishte bisedë informative, shkëmbim opinionesh.