Në bashkinë e Përmetit vijon shpërndarja e ndihmave për familjet në nevojë dhe të moshuarit që jetojnë vetëm.

Kryetarja e bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha, tha për ATSH-në se “në Përmet është 300 numri i familjeve të evidentuara në nevojë që po u jepet ndihmë ushqimore”.

Bashkia ka hartuar gjithashtu listat e pensionistëve që jetojnë vetëm e nuk kanë fëmijë duke kontaktuar me numra telefoni, si dhe ka ngritur grupe patronazhi ku punonjësit e bashkisë u blejnë ilaçe që të mos dalin.

“Është 300 numri i pensionistëve, të cilëve po u çojmë ushqime dhe ilaçe. Për t’i mbrojtur nga Covid-19, është shumë e rëndësishme që ata të mos dalin nga shtëpia”, – tha Hoxha.

Kryebashkiakja Hoxha u shpreh se “bashkia Përmet me mbështetjen e programit të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Evropës “ROMACTED” Promovimi i qeverisjes së mirë dhe fuqizimi Rom në nivel vendor shpërndau disa ndihma ushqimore edhe për familjet egjiptiane nē Përmet dhe Piskovë”.

Sipas saj, bashkia do të vazhdojë me mbështetjen e familjeve të tjera në nevojë në Pērmet dhe njësitë administrative për të qenë afër banorëve në këto ditë të vështira.

“Po ashtu përgjatë gjithë këtyre ditëve të vështira, përveç mesazheve audio sensibilizuese, Bashkia Përmet në bashkëpunim me shoqatën Multifunksionale për Kulturë, Edukim dhe Zhvillim,vendosën banderola të cilat përmbajnë mesazhe sensibilizuese për qytetarët si dhe mbishkrime me fjalë falënderuese për mjekët e policët që janë në detyrë”-, nënvizoi Hoxha.

Në kuadër të forcimit të masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, Bashkia Përmet po vijon punën edhe për dezinfektimin e hapësirave publike.