Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas vrasjes së turistit portugez 21-vjeçar Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, ngjarje për të cilën është arrestuar si autor i dyshuar truproja i kompleksit “Principotes”, Sokrat Vata.

Përmes një reagimi publik, Balla vlerësoi punën e Policisë së Shtetit për arrestimin e autorit të dyshuar vetëm pak orë pas krimit, duke theksuar se ngjarje të tilla nuk janë në traditën e shqiptarit dhe se drejtësia duhet të bëjë detyrën e saj.

“Policia ka arritur të ndalojë në kohë rekord autorin e një krimi tepër të rëndë në Ksamil. Humbja e jetës së një turisti të huaj nuk është në traditën e shqiptarit. Ata vijnë në Shqipëri në besën dhe mikpritjen e shqiptarit. Drejtësia duhet të bëjë detyrën dhe shembullin” shkroi Balla.