Nga Enver Robelli
Befas, 10 sekonda para se të bie qeveria, u alarmuan europianët. Mos ishte pak si vonë?
1. Angela Merkel, ajo që heshti një dekadë dhe toleroi politikën antikosovare të sabotimit nga presidenti serb, e përkrahu idenë që dialogun me Serbinë ta drejtojë qeveria e Republikës së Kosovës. E përkrahu, pak a shumë, edhe heqjen e tarifave siç e kishte propozuar qeveria. Mos ishte pak si vonë, zonja kancelare?
2. Ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë në Prishtinë u alarmuan dhe për herë të parë në historinë e shkurtër të Kosovës i dorëzuan demarsh LDK-së që të mos prishë koalicionin. Mos ishte pak si vonë, të nderuar ambasadorë?
3. Raportuesja për Kosovën Viola von Cramon nuk i ndali porositë alarmante në Twitter që qeveria të mos rrëzohet. Ajo mund të jetë e pafuqishme vetë, por ku janë deputetët e tjerë të Parlamentit Europian? Ku kanë qenë prej vitesh? Tani, në kohëra të koronakrizës, kuptohet, kanë halle të tjera, secili këqyr bazën e vet elektorale.
4. Socialdemokratët gjermanë apeluan që në Prishtinë të ndalen lojërat e papërgjegjshme politike. Por socialdemokratët gjermanë mbajnë ministritë më të rëndësishme në qeverinë e kancelares Angela Merkel dhe kanë pasur gjatë gjithë këtyre viteve mundësi të jenë më proaktivë, më të zëshëm ndaj politikave destruktive të Beogradit në rajon. Sekretari i shtetit për Europë, Michael Roth, nuk harron asnjëherë që përmes Twitterit t’ia urojë ditëlindjen Ana Bërnabiqit, por reagon vetëm me gjysmë zëri kur presidenti serb që ka marrë miliarda nga BE i fyen rend me rend shtetet e BE-së dhe thotë se prej tyre nuk pret solidaritet, rroftë Kina. Ministri i Jashtëm Heiko Maas më shumë lë përshtypjen e një politikani që ka qejf të reklamojë kostume të ngushta burrash se sa të bëjë politikë, Machtpolitik, siç i thonë gjermanët. Gjermania, superfuqia e Europës rri anash, sepse nuk dëshiron të marrë përgjegjësi, ndonëse ky shtet ka investuar aq shumë në rajon dhe gëzon imazh tepër të mirë. Nuk mjafton që ministri gjerman i Shëndetësisë të vijë në rajon për të rekrutuar mjekë e infermiere. Duhet pak më shumë vizion.
5. Reaguan edhe europianë të tjerë. Dhe mirë që reaguan, sidomos në këtë kohë të krizës me pandeminë, kur kanë halle të tjera, por ku ishin këta europiane para një viti, dy vitesh apo tri vitesh, kur nuk kishte pandemi dhe kur samitet me autokratët e Ballkanit i ngjanin sesioneve për fotografim të burrave me ambicie për t’u bërë model pasi kishin vjedhur vendet e tyre me dekada?
6. Këto reagime të europianëve erdhën vonë, tepër vonë. T’i lëmë anash krejt tmerret e politikës kosovare, sepse nuk ka dilemë që Kosovën e ka marrë në qafë “elita” krimogjene politike, por duhet thënë po ashtu: në dekadën e fundit BE i ka lënë gjërat në Ballkan të ecin vetë. Pothuaj në autopilot. Akterë të tjerë e kanë “pushtuar” terrenin. Në Berlin këshilltarë të Angela Merkelit me cinizëm thonë: heqjen e vizave për kosovarët nuk mund ta përfaqësojmë politikisht në opinion. Pra, opinioni qenkësh kundër, sepse kosovarët dhe sidomos politikanët e tyre kanë imazh të keq. E si nuk qenë kundër kur Gjermania dhe shtete të tjera të Schengenit ia hoqën vizat 40 milionë ukrainasve dhe gati 4 milionë gruzianëve? Vërtet këto shtete qëndrojnë më mirë se Kosova sa i përket sundimit të ligjit?
7. Ishte Federica Mogherini ajo që u dha leje presidentëve të Serbisë dhe Kosovës të flasin për çdo temë, edhe për prishjen e kufijve. Dhe këta folën. U përkrahën nga lobistë të paguar mirë. Nga gazetarë cinikë perëndimorë të etur për protagonizëm. Ishin gra e burra cinikë të zyrës së Mogherinit dhe të zyrës së Johannes Hahnit që në dy vitet e fundit pandërprerë i kanë rënë daulles për një marrëveshje në dëm të Kosovës. Ishte Emmanuel Macroni që dha shenja se Franca përkrahë çdo zgjidhje për të cilën palët merren vesh. Austria me kancelarin Sebastian Kurz dhe me ish-diplomatë si Wolfgang Petritschi befas u bënë pjesë e agjendës për ndryshimin e kufijve, sepse “duhet dhënë Serbisë diçka”. E kjo diçka është tokë. Land! Kësaj valleje tash po i prin edhe ambasadori i Donald Trumpit, me mentalitet kauboji dhe pa kurrfarë dije për historinë e rajonit.
8. Tash sa europiani, sa politikani e profesori, politologu e mençuraku alarmon botën e Twitterit se BE nuk po ka ndikim në rajon. Jo a? Kur bën aleancë me autokratë për një dekadë, kur i toleron veprimet e tyre, kur me Ballkanin merren injorante politike si Federica Mogherini, s’ke përse habitesh me rezultatin. Ndoshta kjo çfarë ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë, një skenar pothuaj latinoamerikan i dëbimit të qeverisë, do t’i zgjojë nga kllapia disa europianë. Por ekziston rreziku që Kosova shumë shpejt të ballafaqohet me “rezultatin” e gatuar prej vitesh dhe – po ashtu – shumë shpejt të harrohet edhe kjo çka ndodhi mbrëmë në Prishtinë, një përdhosje e vullnetit elektoral nën presionin brutal të një kamarille me ambicie puçesh politike.
9. Tash emisarin e ri të BE-së, Mirosllav Lajçak, e pret një punë e vështirë për të hequr barrierat dhe bërllokun që kanë lënë pas paraardhësit e tij. Kundërshtarët e tij të prirë nga kryetari i Kosovës janë mobilizuar edhe në Prishtinë. Ata kanë frikë se një kyçje e BE-së në dialog e vonon dhe ndoshta e pamundëson “pazarin”. Prandaj, po vlon retorika antieuropiane e ithtarëve të presidentit. “Pazarin” këta e bëjnë me “Rickin”, por nuk i refuzojnë milionat e BE-së.