Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti reagoi pas deklaratës së ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçic sipas të cilit Sierra Leone e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Përmes një statusi në “Facebook”, Kurti bëri thirrje që Serbia të heqë dorë nga politikat destruktive, e tha se do të kërkoj nga faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë, në radhë të parë SHBA-të dhe BE-ja, si ndërmjetësues në procesin e dialogut, që ta shtojnë presionin mbi Beogradin për ta detyruar të politikën armiqësore ndaj Kosovës”. Dacic tha më herët se ishte i gatshëm të tregonte shënimin e ministrisë së jashtme ku tregohej sipas tij se “Sierra Leone e tërheq njohjen e Kosovës”.
Sipas kreut të diplomacisë serbe, Kosova nuk e ka shumicën në Kombet e Bashkuara. Sipas ministrit serb, nga 193 vende të OKB-së, 92 vende e njohin pavarësinë e Kosovës, 96 vende nuk e njohin, ndërsa pesë vende kanë qëndrim fluid, që do të thotë se e njohin Kosovën, por nuk votojnë më për të. Konfirmim zyrtar nuk ka ende nga Sierra Leone, e ministri i jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca po ashtu theksoi se nuk kanë ndonjë informacion përsa i përket këtij pretendimi. Serbia prej kohesh thuhet se është angazhuar në një fushatë për t’i bindur shtetet që e kanë njohur Kosovën, që ta tërheqin një vendim të tillë.
Në përgjigje të kësaj, Kosova, në vitin 2018, u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia. Komuniteti ndërkombëtar u ka bërë thirrje të dyja vendeve që t’i ndalojnë këto praktika dhe t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.