Ilir Meta ka thirrur ditën e sotme një protestë në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Ky gjest krejt i paprecedent nga një President Republike, ka nga ana tjetër edhe një kosto të jashtëzakonshme ekonomike. Ilir Meta ka dalë si kryeopozitar duke thirrur një protestë e cila kërkon një shumë marramendëse parashë për t’u organizuar, burimi i të cilave nuk dihet akoma.

Por cilat janë kostot e organizimit të një proteste në Bulevard, ku kërkohet skenë, ‘LEDWALL’, foni, regji, transport militantësh etj dhe kush ja paguan Ilir Metës këto kosto qindra milionëshe?

Për pyetjen e parë ka një përgjigje, pasi sipas kompanive të eventeve dhe transportit, kostot për një miting të tillë i cili do të bllokojë pjesën dërrmuese të Bulevardit, shkojnë mbi 200 milionë lekë. Ilir Meta sot ka vendosur që të ketë disa ekrane LED dhe disa kulla me bokse. Praktikisht, Ilir Meta ka vendosur që të organizojë një event si ato të këngëtarëve më famë botërore, me kosto të jashtëzakonshme.

Por, pyetja që shtrohet dhe që kërkon përgjigje nga Ilir Meta është: Kush i mbulon këto shpenzime? Janë nga taksat e qytetarëve (buxheti i Presidencës) apo nga burime të tjera? Nëse janë nga burime të tjera, cilat janë ato? Meqë Ilir Meta ka vendosur të jetë transparent (siç shprehet ai) me qytetarët, duhet ta nisë nga deklarimi i kostove dhe atyre që i paguajnë këto kosto./ (Lexo.al)