Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, informon lidhur me afatin e qëndrimit të shtetasve shqiptarë në Itali dhe në Republikën Çeke. Duke nisur nga data 2 mars 2020, është vendosur një pezullim 30 ditor i afateve për procedimet administrative lidhur me qëndrimin e shtetasve të huaj, në territorin italian. Pezullimi, vlen si për procedurat e lidhura me lejet e qëndrimit (aplikim i parë ose rinovim), ashtu edhe për vizat.

Për këtë arsye, bën me dije MEPJ, nuk do u jepet masa e përjashtimit nga territori italian qytetarëve të huaj, të cilët do të gjendeshin në situatë parregullsie, të shkaktuar nga pezullimi i korridoreve të transportit të qytetarëve me Republikën e Italisë. Gjithashtu, sa i përket qëndrimit të qytetarëve shqiptarë në Republikën Çeke, MEPJ informon se të gjithë shtetasit e huaj, të cilët në momentin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ndodheshin në mënyrë legale në territorin çek, do të mund të vazhdojnë të qëndrojnë në këtë territor gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme, pa pasur nevojë të zgjidhin çështjet e statusit të qëndrimit të tyre.