Angela Merkel ka përfunduar në karantinë pasi ka takuar një mjek, i cili ka qenë i infektuar me Covid 19.
Këtë lajm e ka bërë zyrtar zëdhënësi i kancelares për agjencinë shtetërore të lajmeve të Gjermanisë DPA.
Ky lajm më pas është publikuar nga e përditshmja italiane La Repubblica. Gjermania forcoi kufizimet e ndërveprimit shoqëror, duke ndaluar takimet publike të më shumë se dy personave, për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.
“Qëllimi është të fitosh kohë në luftën kundër virusit”, tha kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një konferencë për shtyp.
“Të paktën për dy javët e ardhshme, njerëzit nuk do të lejohen të formojnë grupe me më shumë se dy persona në publik, përveç nëse ata jetojnë së bashku në të njëjtën familje ose tubimi është i lidhur me punën”, shtoi ajo.
Si pjesë e një sërë rregullash më të rrepta, Gjermania vendosi që restorantet mund të ofrojnë vetëm shërbime për marrje të ushqimit me vete, ndërkaq bizneset e parukierëve, masazheve dhe ato të tatuazheve duhet të mbyllen.(TemA)