Nga Artur Ajazi
Lulzim Basha nuk heq dorë nga “planet me 5 dhe 8 pika” edhe në kohë të jashtëzakonshme, ndërkohë që në kohë normale ai ka gati si zakonisht protestat popullore.
Edhe pse Edi Rama kryeministrit vendit, e mirëpret në çdo kohë zotin Basha, takim i cili duhej të ishte realizuar qysh para 2 javësh, në përpjekjet e përbashkëta për përballimin e krizës, duket se kryetari i ish-opozitës e ka me “nge”.
Ai nuk ngutet, dhe prej së largu, i propozon kryeministrit Rama plane dhe projekte me 5 dhe 8 pika, nga ku “jep zgjidhjen” e kësaj krize shëndetsore dhe ekonomike sipas “modelit” alla Parti Demokratike. Zoti është i madh, dhe sot më shumë se kurrë u besoj shumicës së shqiptarëve kur thonë se “shyqyr që nuk ishte Lulzimi në pushtet, sepse do të na kishte marrë lumi”.
I besoj thënies së shumicës së shqiptarëve, tek shikoj dhe dëgjoj Lulzimin dhe Monikën, Ilirin dhe Doktorin, tek shikoj dhe dëgjoj korin e milionerëve ish-opozitaristë, tek rreken të “çojnë” ndonjë sms “solidariteti” tek populli, dhe kaq. Nuk i kam parë ata të zgjidhin qesetë e tyre, të fusin dorën në thasët me miliona dhe të ndihmojnë fakirët dhe hallexhinjtë, por krekosen majë vilave dhe zyrave luksoze, duke dhënë “ide dhe plane gjeniale” se si mund të dilet nga kjo krizë.
E fundit fare ishte dërgesa prej së largu si zakonisht, e kryetarit të PD lulzim Basha, e një plani me 8 pika, nga ku ai i propozonte kryeministrit Rama, “projektin e opozitës për përballimin me sukses të kësaj situate”.
Lëri 8 pikat mënjanë Lulzim, por shko dhe tako kryeministrin Rama, shko dhe mos e pyet Doktorin të paktën kësaj here, sepse do të shikosh sa lehtë do ta ndjesh vehten.
Do ta ndjesh vehten më të shfajësuar nga gjithçka, do ta ndjesh vehten më të pavarur se dikur, dhe ndoshta do ti bindësh shqiptarët se nuk je kukulla e Doktorit. Situata të tilla, kërkojnë politikanë të përgjegjshëm, kërkojnë ndërgjegjësim qytetar, dhe qëndrime stoike në llogoret e vjetra.
Shqiptarët nuk duan dhe nuk kanë nevojë të shikojnë një politikë të ndarë, një politikë që përçan dhe mundohet të përfitojë kredo pushteti, dhe një tjetër që maksimalisht gjendet sot në frontin e betejës.
Lëri planet me 8 pika Lulzim, lëri “zgjidhjet dhe projektet” që hartohen nga “specialistët” e SHQUP-it, por shko dhe takohu me Edi Ramën, ke momentin të japësh shembullin e duhur se, nuk je më leva robotike e Doktorit, trego se je politikan i “europianizuar” siç deklaron, për të bindur edhe shqiptarët, se nuk e ke me hile.
Ndryshe qëndro në shtëpi, ose fol me skype nga zyra, se ndoshta aq ke mundësi të bësh edhe në kohë të tilla. Ashtu sin ë 26 Nëntor edhe tani, shqiptarët janë me Edi Ramën, me njeriun e betejave Lulzim. Ti po deshe, eja dhe bashkohu me ne…