Vendet anëtare të Bashkimit Europian vendosën unanimisht të ndalojnë për 30 ditë hyrjen e njerëzve, që nuk i përkasin bllokut, në mënyrë që të frenojnë pandeminë e koronavirusit të ri, njoftoi kancelarja gjermane, Angela Merkel. “Të gjitha vendet anëtare ranë dakord të vendosin ndalimin e hyrjes, me disa përjashtime të vogla”, tha Merkel në një konferencë për shtyp, pas një videokonference me liderë të tjerë të vendeve europiane.

“Gjermania do ta zbatojë këtë vendim menjëherë,” paralajmëroi kancelarja. Sipas kancelares gjermane, BE do të koordinojë, gjithashtu, kthimin e shumë europianëve të bllokuar jashtë vendeve të tyre, nga kufizimet e shumta dhe ndalimi i trafikut ajror. Sipas saj gjermanët që ndodhen aktualisht jashtë vendit do të kthehen përmes një aksioni të posaçëm me avionë charter. Gjermania në nivel federate dhe landesh synon të dyfishojë numrin e shtretërve të reanimacionit nëpër klinika, si një masë tjetër në sfondin e rrezikut të përhapjes së infeksioneve me virusin Corona. Kjo mësohet nga një vendim, që e posedon agjencia e lajmeve DPA. Më tej sipas këtij informacioni mësohet, se politikanët kanë vendosur një plan emergjence për spitalet. Sa i përket frikës se njerëzve nga mungesa eventualisht e furnizimeve, qeveria gjermane siguroi, se gjermanët nuk kanë përse të shqetësohen: Furnizimi është i sigurtë, deklaroi ministrja e Bujqësisë Julia Klöckner në Berlin. „Blerjet në panik jo vetëm që nuk janë të nevojshme, por ato edhe shkaktojnë dëm”, shtoi politikania kristiandemokrate.