Ligji “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, i miratuar të enjten në Kuvend, i jep zgjidhje përfundimtare çështjes së pronësisë mbi tokën bujqësore në Shqipëri dhe i hap rrugë investimit të fermerëve dhe zhvillimit në zonat rurale. Sipas relacionit që shoqëron këtë ligj AMTP e dhëna para hyrjes në fuqi të këtij ligji do të regjistrohen duke mos iu nënshtruar verifikimit të ligjshmërisë së tyre nga ASHK nëse plotësojnë kriteret minimale:Të jetë trajtuar me tokë vetëm në te rritorin e një kooperative apo ndërmjarrje bujqësore; dhe toka për të cilën është lëshuar AMTP nuk është vepër i infrastrukturës publike, rërë, plazh apo siperfaqe ujore truall.
Dispozitat e këtij ligji synojnë konsolidimin e marrëdhënies juridike të pronësisë mbi tokën bujqësore, nëpërmjet; ligjësimit të titujve të pronësisë, për të gjitha aktet ligjore e nënligjore mbi tokën bujqësore; përfundimin e proceseve të pajisjes me tituj pronësie të përdorueseve të tokave të ish-kooperativave dhe ish-ndërmarrjeve bujqësore, të cilët kanë paraqitur kërkesë për këtë qëllim, para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Proceset e mësipërme kryhen në funksion të zhvillimit strategjik dhe të qëndrueshëm të sektorit bujqësor.
Kushtet për ligjësimin e Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi janë që: Subjekti ka qenë legjitimuar për të përfituar tokë sipas akteve ligjore e nënligjore për ndarjen e tokës bujqësore ose, edhe nëse nuk ka qenë legjitimuar, ka përfituar tokën, për të cilën i është hequr pronësia atij apo trashëgimlënësit gjatë krijimit të kooperativës apo ndërmarrjes bujqësore; Subjekti ka përfituar tokë vetëm në territorin e një kooperative apo ndërmarrjeje bujqësore; dhe Toka e ndarë me AMTP nuk ka qenë e llojit (zërit kadastral) “truall”, “rëra bregdetare” ose “plazhe”.
Për t’i hapur rrugë zgjidhjes së pronës mbi tokën bujqësore edhe në rastet kur ka mangësi jo thelbësore të formës që kërkohet në nenet e lartë përmenduar, ligji parashikon që mënyra e plotësimit të AMTP-ve përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërsa në rastet kur trajtimi i titujve të pronësisë nuk përmbush kushtet për ligjësim veprohet; Kur pronari aktual i tokës është ende përfituesi fillestar i AMTP-së, titulli është i pavlefshëm dhe sipërfaqja e tokës kalon në fondin e tokës. Në këtë rast, brenda 30 ditëve, nga konstatimi i mospërmbushjes së kushteve të ligjësimit, ASHK-ja ngre padi pranë Gjykatës së Apelit për detyrimin e njohjes së pronësisë shtetërore mbi
pasurinë.
Kur përfituesi fillestar i titullit të pronësisë, si pasojë e një transaksioni apo shpronësimi për interes publik, nuk e disponon më tokën plotësisht apo pjesërisht, detyrohet që për sipërfaqen përkatëse të tokës të kryejë pagesën. Pagesa, në varësi të rastit, i përgjigjet shumës, sipas hartës së vlerës së pronës, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për sipërfaqet rezultat i transaksionit, apo vlerës së kompensimit të përfituar për shkak të shpronësimit për interes publik.
Ligji i jep zgjidhje edhe çështjeve kur nuk përputhet titulli i pronësisë me gjendjen e posedimit në fakt prona efektive, Procedurave të kalimit në pronësi pa shpërblim, në rastet me shpërblim si dhe kriteret e dhënies me qira të tokës jobujqësore që përcaktohet me vendim qeverie.