Skuadra e Lacios ka arritur të fitojë ditën e djeshme kundër Bolonjës, duke marrë përkohësisht vendin e parë, pasi ndeshja e Juventusit dhe Interit është shtyrë për në muajin maj.Djemtë e Inzagit likuiduan Bolonjën, duke e mundur pastër me rezultatin 2-0. Me këtë triumf, skuadra e Strakoshës regjistrojnë një sërë rekordesh.Skuadra e Lacios është për herë të parë në krye të Serie A gjatë kësaj periudhe të kampionatit që nga viti 1999. Fitorja e djeshme ishte e 17 për këtë sezon, nga 21 ndeshje gjithsej të luajtura në Serie A, çka përbën një rekord për klubin.

Gjithashtu, Lacio ka arritur të shënojë të paktën dy gola në 19 ndeshjet e tyre të fundit në kampionat. Vetëm Liverpuli dhe PSG kanë bërë më mirë se ata në 5 ligat kryesore.Shifra që tregojnë sesa punë është bërë në këtë skuadër, ku një dorë të madhe e ka dhënë Igli Tare, i cili është njeriu që ka zgjedhur me kujdes të gjithë lojtarët e kësaj skuadre dhe ka besuar te ta.Vlonjati i ka marrë në këmbim të shifrave modeste dhe tashmë ata kushtojnë miliona euro, ashtu si edhe Strakosha, i cili ka treguar se është një nga më të mirët në Europë.